Bordi Ndërkombëtar i Federatave të Futbollit (IFAB), do të mblidhet të shtunën për të diskutuar rreth përdorimit të teknologjisë në futboll. Janë 8 kompani të cilat do të paraqitin projektet e tyre në lidhje me të ashtuquajturin “gol fantazmë”, për të evituar skena si ajo e Botërorit të fundit, ku Anglisë iu anulua një gol i drejtë.
Një nga kompanitë në fjalë është gjermania “Cairos” që do të prezantojë topin që mban të njëjtin emër, duke tentuar që të sigurojë një kontratë shumë të rëndësishme nga FIFA.
Projekti i saj ka idenë e një mikroçipi të futur brenda topit dhe mbahet në qendër nga disa mbajtës të veçantë. Ndërkohë, sensorë do të vendosen nën të gjithë zonën e rreptësisë dhe në të njëjtën distancë pas porte. Këta sensorë përcaktojnë nëse mikroçipi ka kaluar mjaftueshëm vijën e portës për të gjykuar nëse topi e ka kaluar atë apo jo. Sinjali akustik do t’i mbërrijë gjyqtarit brenda një sekonde.
Projektet e tjerë janë të gjithë me kamera rreth portës. Kompania “Goalminder” përshtat kamera në shtylla dhe në traversën e portës. “Hawk-Eye”, i cili ofron një shërbim të tillë teknologjik në tenis, kriket dhe bilardo, përshtat kamerat në distancë, duk vendosur shtatë të tilla në secilën anë të fushës në majën e shkallareve të stadiumit. Kur kamera me rreze infra “sheh” topin të kalojë vijën fatale të portës, nëpërmjet një sistemi kompjuterik i dërgon sinjalin akustik gjyqtarit të ndeshjes.
FIFA ka bërë të ditur se ka rreth 100 milion paund për të investuar për sistemin “fitues” të cilin shpreson ta bëjë operativ për Kupën e Botës 2014. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 March 2012 16:08