Lajme Shqip Sunday, 18 December 2011 20:00

Prishtinë-Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri më 1 janar të zbatojë mocionin e miratuar në Kuvend për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit me Serbinë.

Drejtues të kësaj lëvizjeje kanë thënë se kryeministri Hashim Thaçi duke e konsideruar vendimin e Kuvendit të Kosovës si opinion, sipas tyre, ai “praktikisht ka bërë grusht-shtet ndaj institucioneve të tjera”.

 Në një konferencë për media të dielën, kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka bërë të ditura vendimet e marra në mbledhjen e tretë të këtij këshilli.

Ai ka thënë se nëse Qeveria deri më 1 janar nuk zbaton mocionin për ndërmarrjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, atëherë 14 janari do të jetë dita kur aktivistët e kësaj lëvizjeje do të fillojnë të bllokojnë mallrat serbe në pikat kufitare te Dheu i Bardhë dhe në Merdare.

“Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosjes, nё mbledhjen e vet tё tretё tё mbajtur sot, mori vendim qё ta marrë në mbrojtje vendimin e Kuvendit tё Republikës sё Kosovës, dhe nёse Qeveria e Kosovës nuk e zbaton kёtё vendim deri mё 1 janar 2012, Lёvizja Vetëvendosje do tё ndërmarrë veprime konkrete pёr ta zbatuar kёtё vendim tё Kuvendit nё çdo pikё tё tij. Kështu, nga data 14 janar 2012, aktivistët e Vetëvendosjes do tё bllokojnё mallrat e Serbisё nё pikat kufitare te Dheu i Bardhё dhe nё Merdarё” , ka thënë Kurteshi.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se kur kjo lëvizje do të vijë në pushtet atëherë do të ketë mundësi të marrë edhe vendime të rëndësishme në përputhje me interesat e vendit.

“Një ditë kur do të jemi në qeveri dhe do ta kemi pushtetin do t`i përdorim edhe mekanizmat e pushtetit në përputhje me interesat e Kosovës dhe vullnetin e popullit në mënyrë që kufirin me Serbinë njëherë e përgjithmonë ta bëjmë kufi ndërshtetëror ashtu qysh nuk po e bënë Qeveria e Kosovës”, ka theksuar ai.

Sipas Kurtit, Qeveria e Kosovës po përpiqet që Republikën parlamentare ta bëjë Republikë qeveritare, derisa kryeministri Thaçi me deklaratën e tij se kuvendi jep opinione, sipas Kurtit, po përpiqet të bëjë grusht-shtet.

“Kryeministri Thaçi me deklaratën e tij se kuvendi jep opinione, praktikisht ka bërë grusht-shtet. Ne jemi këtu që ta mbrojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës si organ përfaqësues i popullit dhe i vullnetit të tij dhe si organi më i lartë politik në Kosovë”, ka potencuar Kurti.

 Më datën 7 dhjetor të këtij viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte miratuar mocionin e iniciuar nga Vetëvendosja që Qeveria t`i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik, tregtar ndaj Serbisë. Mirëpo ky mocion nuk u konsiderua obligues nga ana e Qeveria.