Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 14:11

Prishtinë (PLOTESUAR 20 Janar, 19:20) Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar sot mocionin e ri për reciprocitet me Serbinë. Pesëdhjet e nëntë deputetë kanë votuar për, 41 kundër dhe një abstenim.

Ky mocion, sipas deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, parasheh që Qeveria e Kosovës t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj lidhur me çështjen e reciprocitetetit.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se ky mocion i hap rrugë perspektivës së vendit.

Por mocioni i ri për reciprocitet me Serbinë shfuqizon mocionin e mëparshem të Parlamentit të propozuar nga Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të subjektit politik “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, tha se ky subjekt është kundër shfuqizimit të vendimit të mëhershëm të Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë.

Ymeri tha po ashtu se mocioni i miratuar tregon qartë se nuk ka reciprocitet me Serbinë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, ka miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.

Mocioni ishte miratuar pas një debati rreth çështjes së masave të reciprocitetit me Serbinë që ishin vendosur më 20 korrik të 2011-ës, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës që Serbia u kishte vendosur mallrave nga Kosova.

 ***********************

Prishtinë (PLOTESUAR 20 Janar, 16:20) Pas një debati në Kuvend është miratuar kërkesa për vazhdimin e mandatit për Komisionin për ndryshimin e Kushtetutës. 62 deputetë kanë votuar për, 2 ishin kundër, ndërsa 1 ka abstenuar.

Puna e vazhdueshme e Komisionit ka të bëjë me nenin 84 që flet për kompetencat e Presidentit të vendit. Zgjatja e mandatit të Komisionit mund të shtyjë zgjedhjet presidenciale, të parapara për këtë vit.

Për vazhdimin e mandatit të këtij komisioni ishin pothuajse të gjitha  grupet parlamentare, por më vërejtjet e tyre.

Por deputeti i LDK-së Sabri Hamiti ndryshe nga  të tjerët tha se komisionit duhet dhënë mandat shtesë për një çështje tjetër pasi sipas tij i ka kaluar koha.

Afrim Kasolli nga Vetëvendosje ka kërkuar që është dashur që në kuvend së pari të vijnë amandamentet për të parë nëse do të kalonin, e pastaj të mendohet për shtyrje të mandatit të komisionit.

Komisioni për ndryshime Kushtetuese është formuar në bazë të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për ndryshim të kompetencave të Presidentit të vendit, pas një marrëveshje të arritur në mes tri partive politike PDK, LDK e AKR.

***************************

Prishtinë (PLOTESUAR 20 Janar, 14:40) -Vetëm 2 ditë para protestës së dytë të Vetëvendosjes në pikat kufitare me Serbinë, Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit Thaçi ka sfiduar hapur lëvizjen e Albin Kurtit.

Me 53 vota pro deputetët miratuan një propozim të Partisë Demokratike të Kosovës, ku është kërkuar debat për 14 janarin dhe miratimin e një mocioni të ri për reciprocitet me Serbinë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës kërkoi sot debat në seancën plenare të Kuvendit, për 14 janarin dhe miratimin e një mocioni, që e detyron qeverinë t’i raportojë Kuvendit, çdo tre muaj për reciprocitet, por që shfuqizon të gjitha vendimet e tjera lidhur me këtë çështje, duke sfiduar kështu mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje. Propozimi i PDK-së u miratua me 53 vota pro, 24 kundër dhe 10 abstenime.

Gjatë fjalës së tij në parlament, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi përshëndeti nisjen e bisedimeve per liberalizimin e vizave ndërsa kërkoi më shumë stabilitet në Kosovë, duke thënë se diskutimet duhet të zhvillohen në parlament në mënyrë që procesi i nisur për vizat të mos pengohet.

***************************

Prishtinë- Kuvendi i Kosovës do të votojë sot një mocion të propozuar nga Partia Demokratike i cili do të shfuqizojë rezolutën për reciprocitet me Serbinë.

Në mocionin e propozuar nga PDK-ja do të obligohet qeveria që të raportojë në Kuvend çdo tre muaj për mbarëvajtjen e reciprocitetit me Serbinë.

Kjo ishte një pikë që u fut në rend dite me procedurë urgjente ndërsa kërkesa e Vetëvendosje për debat rreth protesëtsë së 14 janarit nuk u aprovua nga deputetët. (LajmeShqip.com)