Prishtinë- “Vizita e Kancelares Federale Angela Merkel në Kosovë i kushtohej ushtarëve gjermanë të KFOR-it, si dhe mirënjohjes së Gjermanisë për qëndrimin e përgjegjshëm dhe pragmatik të Kosovës në dialog me Beogradin”, deklaroi sot, ambasadori gjerman në Prishtinë, Dr. Ernst Reichel.
Më tej theksohet se, “vizita shpreh gjithashtu mirënjohjen për qëndrimin e përgjegjshëm dhe pragmatik të Kosovës në dialogun me Beogradin.
“Ky dialog është rruga për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin dhe gjithashtu për normalizimin e qëndrueshëm të gjendjes në veri. Ky normalizim është një hap i rëndësishëm i Kosovës dhe i Serbisë, për integrimin evropian”, thekson ambasadori gjerman.
Ndërsa për rezolutën e Kuvendit për “reciprocitetin” me Serbinë, ambasadori gjermen Reichel, shprehet se, “kjo rezolutë, menjëherë para vendimit të Këshillit Evropian për statusin e kandidatit të BE-së për Serbinë, në asnjë mënyrë nuk ishte e dobishme”.
Sipas tij, ende mbetet e pasqaruar, se çfarë kërkohet konkretisht me emërtimin ‘reciprocitet’.
“Falë një marrëveshjeje nga dialogu i udhëhequr nga BE, kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të hapur për mallra në të dy drejtimet, kështu që reciprociteti tanimë ekziston”, theksohet në deklaratë.
Më tej shtohet se, “tani ka kërcënime edhe me bllokada në vendkalimet kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë, nëse ky reciprocitet i padefinuar dhe në të vërtetë ekzistues, nuk realizohet”.
“Gjëja e fundit që i nevojitet këtij vendi janë barrikada të tjera dhe më shumë dhunë në kufijtë me Serbinë. Kushdo që e ndjek këtë rrugë, nuk i kryen shërbim vendit të tij”, thekson ambasadori i Gjermanisë në Kosovë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 20 December 2011 15:58