Prishtinë-Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, mbajti sot takimin e parë për këtë vit me menaxhmentin e lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës, ku u diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend dhe u shpalosën planet dhe aktivitetet të parapara për t’u realizuar në vitin 2012.
Sipas komunikatës nga Ministria e Brendshme e Kosovës, po ashtu, në këtë takim u diskutua lidhur me paralajmërimet e subjektit politik “Vetëvendosje” për bllokimin e Pikave Kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë, me qëllim të siç thuhet “zbatimit të mocionit të Kuvendit të Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë”.
Komunikata thekson se me këtë rast dëshirojmë të njoftojmë opinionin se Policia e Kosovës sikurse në të kaluarën do të ushtrojë detyrat e saj, si garantues i zbatimit të ligjit, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësinë që i takon.
E drejta e disa qytetarëve për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë nuk do të lejohet të abuzohet në dëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve tjerë dhe mallrave në territorin e Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, Policia e Kosovës ka përgatitur Planin Operativ për parandalimin e bllokimit të Pikave Kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë, si dhe rrugëve magjistrale të cilat shpijnë në këto pika kufitare.
Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të mos përkrahin forma jo ligjore të shfaqjes së pakënaqësisë.
Policia e Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj bllokimit ilegal të rrugëve dhe do të jetë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me forcën e ligjit, forcë kjo që buron nga Kushtetuta më moderne dhe që respekton të drejtat e njeriut, përfundon komunikata. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 January 2012 20:11