Prishtinë – Ambasadori i Francës në Republikën e Kosovës, Zhan Fransua Fitu, e ka quajtur fashizëm një aksion të lëvizjes Vetëvendosje derisa ai dhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, po mbanin
një ligjëratë në institutin privat ISPE.
Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje e kanë ndërprerë sot një ligjeratë për liberalizimin e vizave të ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi dhe ambasadorit të Francës, Zhan Fransua Fitu, para studentëve të Institutit për Studime Evropiane. ISPE. Pas fjalimeve të ministrit dhe ambasadorit, një aktivist i Vetëvendosjes e ka akuzuar ministrin Rexhepi për mosprani në veri të vendit dhe më pas disa aktivistë të tjerë kanë fishkëlluar dhe hedhur pamflete në sale.
“Ti flet për veriun e vendit si spectator… ti ke thënë se një ditë do t’i vijë fundi i durimit të KFOR-it, d.m.th. t’i flet si zëdhënës i KFOR-it, d.m.th. mungesa e veprimit ty të bën si zëdhënës i KFOR-it e kurrsesi ministër”, i kanë thënë Rexhepit, aktivistë të Vetëvendosjes.
Ka reaguar menjëherë ambasadori i Francës, Zhan Fransua Fitu, duke e quajtur fashizëm veprimin e aktivistëve të Vetëvetendosjes.
“Gjëja e parë që duhet të bëni është të mos silleni si bandat fashiste. Ne jetojmë në një vend demokratik dhe mendimet e ndryshme për dialogun, për Evropën etj., pranohen. Por, të vish në një takim, ta fyesh ministrin e të flasësh banalitete, më falni, por kjo është Evropa e vitit 1943. Kjo është fashizëm. Dhe këto veprime vendi im dhe të tjerët do t’i kundërshtojnë”, ka thënë menjëherë ambasadori francez.
Ndërkaq ministri Bajram Rexhepi tha se deklaratat dhe veprimet e tilla bëhen për qëllime politike dhe se ai ka qenë disa herë i pranishëm në veri të vendit.
“Mua nuk më bëjnë shumë nervoz disa fëmijë të lazdruar që sillen rrugëve. Bash janë fëmijë të lazdruar. Se deri ku lëvizë Ministri i Punëve të Brendshme, unë i ftoj në veturën personale e jo në Suhodoll e në Lagje të Boshnjakëve, por shumë më thellë, por ata duhet të përgatiten psiqikisht, sepse mund të kenë frikë”, tha Rexhepi.
Policia e Kosovës arriti menjëherë pas incidentit.
Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se janë 10 aktivistë të saj të arrestuar pas aksionit të sotëm. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 October 2011 17:44