Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 09:09

Prishtinë – “Zotëri ambasador, ndoshta çizmet e policëve dhe truprojeve mbi protestuesit paqësorë janë fashizëm”. Kështu nis reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj deklaratës së djeshme të ambasadorit francez, François Fitou, i cili i quajti fashistë aktivistët e VV-së.

Nëntë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, vajza e djem, janë arrestuar teksa shprehnin ndjenjën e tyre të protestës ndaj Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepit. Ky i fundit, thuhet në kumtesë, ishte duke mbajtur një fjalim ordiner demagogjik, ku mburrej me liberalizimin e vizave, pra me procesin e lëvizjes së lirë nëpër Europë, edhe pse Ministria e Brendshme ende nuk ka mbërritur të garantojë lëvizjen e lirë të qytetarëve brenda kufijve të Kosovës. Ministri foli për rendin në Kosovë, ndërkohë që brenda vendit janë duke vepruar struktura ilegale serbe; ai mburrej për anti-korrupsionin, edhe pse kohët e fundit policia ndërkombëtare po bastis edhe ministrinë e tij për ta gjetur korrupsionin që po e kalbë qeverisjen aktuale nga brenda.

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! bënë atë që do të bënte çdo qytetar i ndërgjegjshëm në shoqëritë demokratike të botës, ata fishkëllyen kundër mashtrimeve të ulëta dhe demagogjisë së një qeverie që nuk garanton dot as lëvizjen e lirë brenda territorit të Kosovës, të një qeverie që dështon të kontrollojë kufijtë e vet, që nuk ua plotëson dot nevojën minimale qytetarëve të saj, nevojën që të ndihen të sigurt në atdheun e tyre, thotë Vetëvendosja.

Ambasadori i Republikës Franceze në Kosovë, Jean François Fitou menjëherë pas takimit, dukej që e kishte humbur arsyen, dhe u shpreh në mënyrë të nxituar e fyese për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke i krahasuar veprimet e tyre me ato të fashistëve në 1943, të cilët nuk i lejonin të tjerët të shpreheshin. Kjo deklaratë e ofendon secilin anëtar dhe mbështetës të kësaj Lëvizjeje, e cila në historinë e saj mbartë frymëzimin e ardhur nga lufta e popullit shqiptar kundër pushtimeve, kundër tiranive, kundër fashizmit, një luftë e cila, me ç’po duket, ende s’ka përfunduar, përderisa ky popull ende nuk mund të gëzojë lirinë, sovranitetin e pavarësinë e vet sovrane, njësoj si çdo popull tjetër i Europës e i Botës. Ambasadori Jean François Fitou ka folur për fashizmin, e fashizmi ka të bëjë me ata që imponohen e dominojnë prej piedestalëve të autoritetit, duke shtypur shprehjen e tjetrit. Mirëpo, zoti ambasador duhet ta dijë që autoriteti shtypës në Kosovë nuk janë qytetarët, as aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Arrestimi i protestuesve dhe dhuna policore dhe e truprojeve të ministrit Rexhepi ndaj atyre vajzave e djemve që shprehën qëndrimin e tyre legjitim qytetar e politik e tregon fare mirë se cili iu përngjan fashistëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE, në përpjekjen e tyre të pandërprerë për emancipim, nuk kanë ndërmend të ndalen përpara kurrfarë vështirësish e pengesash.

Po ashtu, kanë qenë ofenduese shprehjet vulgare të ministrit Rexhepi, i cili është mësuar t’i peshojë qytetarët në xhepin e tij. Mësoje, zoti ministër, qytetarët dhe qytetarinë nuk i blen paraja. Edhe pse xhepat mund t’i kesh plot, edhe pse burgjet mund t’i mbushësh me të rinjtë që protestojnë ndaj paaftësisë dhe ndaj indiferencës tënde, vlerat e vërteta të shqiptarit ti kurrë nuk do t’i kesh në xhep, për sa kohë që dukshëm nuk i ke në karakter e në shpirt.

Ndaj një Ministri të Brendshëm si Bajram Rexhepi, i cili nuk mbërrin të sigurojë as jetën e policëve, e jo më atë të qytetarëve, gjëja më e paktë që mund t’i bëhet, është të fishkëllehet. Të arrestosh ata që fishkëllejnë mashtrimet e demagogjinë e një ministri është veprim tiranik. Të shkelësh me çizme policore protestën qytetare, ndërkohë që po humbet një të pestën e territorit, sepse “i druhesh dhunës”, ky është brutaliteti dhe arroganca frikacake e këtij regjimi që përpiqet ta maskojë impotencën me despotizëm, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pas ngjarjeve të djeshme, në ISPE, ku aktivistë të kësaj lëvizjeje u rrahën dhe arrestuan, pasi protestuan në mënyrën e tyre kundër asaj, që ata e quajtën, demagogji të ministrit Kosovar të Punëve të Brendshme. (LajmeShqip.com)