Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 07:30

Tiranë-Opozita shqiptare është e vendosur për të kontribuar në integrimin e vendit në Bashkimin Europian, deklaroi Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë, për vitin 2012.

Gjatë fjalës së tij, Ruçi tha se, “ky është viti i 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, përvjetor i cili e gjen vendin në krizë ekonomike, energjetike, me një papunësi dhe varfëri të shtuar, ndaj si grup parlamentar jemi të vendosur për të qenë zëdhënës të fuqishëm për integrimin e vendit në BE” .

“Grupi i opozitës në parlament po punon çdo ditë për të përmbushur marrëveshjen që ka me popullin shqiptar dhe do të miratojë ligjet që kërkojnë 3/5 e votave dhe që përmbushin standardet”, tha Ruçi.

Duke u ndalur te zgjedhja e Presidentit të Republikës, Ruçi theksoi se, kemi detyrimin moral të shprehim vizionin tonë për zgjedhjen e Presidentit, i cili do të zgjidhet sipas Kushtetutës duke kërkuar 3/5 e votave.    

Sipas tij, opozita kërkon, ashtu sikurse parashtrohet edhe në Kushtetutë, që procesi për zgjedhjen e Presidentit të karakterizohet nga konkurenca e hapur, si një parakusht për pavarësinë e postit të Presidentit dhe konsolidimin e shtetit ligjor.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në fjalën e mbajtur në Kuvend në hapje të sesionit të ri tha se integrimi europian është axhenda kombëtare dhe prioriteti strategjik i maxhorancës për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Duke reaguar ndaj deklaratave të opozitës në Kuvend, kryetari i grupit demokrat theksoi se vitet që lamë pas nuk janë të quhen vite të shkuara dëm, vetëm se Edi Rama nuk është në pushtet”.

Lidhur me zgjedhjen e Presidentit, kryetari i deputetëve të maxhorancës, ndërsa e konsideroi atë një debat të parakohshëm, nënvizoi se në 100-vjetorin e Pavarësisë na duhet një president i mirë i një republike parlamentare.

“PD nuk ka nevojë për një president të vetin, por është jashtë çdo dyshimi se ne nuk duam të shohin president një kundërshtar, pasi kjo shkon ndesh me Kushtetutën. Na duhet një president i mirë i një repubilke parlamentare dhe le të vijë ai bashkë me statusin e kandidatit”, theksoi Patozi. (LajmeShqip.com)