Tiranë- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se nuk do të jetë kandidat për Presidentin e Republikës, i cili do të zgjidhet gjatë këtij viti. 
“Presidenti do të jetë figurë politike. Partia Demokratike ka disa drejtues të shkëlqyer për të kandiduar. Kandidati do të zyrtarizohet sapo të hapet gara”, deklaroi kreu i qeverisë në një intervistë televizive mbrëmjen e sotme.
I pyetur nëse do të kandidojë për postin e Presidentit, Berisha tha se nuk do të jem kandidati i ardhshëm për President.
“Kundërshtarët e mi mezi po presin Sali Berishën si kandidat për President, por nuk do ta shohin. Kam qënë President i Republikës. I qëndroj atyre zotimeve që u kam dhënë shqiptarëve. Kam bërë një fushatë elektorale ku kam premtuar edhe për deri në 2017. Unë si president si mbaj dot premtimet e dhëna”, deklaroi kreu i qeverisë.
Lidhur me emra të tjerë që mund të kandidojnë nga Partia Demokratike për këtë post, Berisha tha se “PD ka disa drejtues të shkëlqyer për të kandiduar, por përtej Sali Berishës nuk mund të flas për emra konkretë në këtë moment”.
Sa i takon procesit të zgjedhjes së Presidentit, Kryeministri Berisha siguroi se zgjedhja e Presidentit do të jetë proces kushtetues. Duke argumentuar tezat e diskutuara për një president konsensual, Berisha tha se nuk mund të ndërhyhet në Kushtetutë. “Nuk ka gjë më pak serioze se sa të mendohet të ndërhyhet në Kushtetutë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha komentoi edhe marrëdhëniet e maxhorancës me Presidentin aktual, Bamir Topi. Berisha tha se Presidenti nuk duhej të sulmonte maxhorancën. “Respektoj institucionin e Presidencës. Prisja të ishte një negociator i fuqishëm për të gjitha problemet dhe jo të mendonte ndryshe, kjo në interesin e tij më të mirë. Nëse nënkuptohet që Presidenti është në atë funksion për të bllokuar vendin e tij, ky është koncepti më primitiv. Pushteti nuk është për t’u bllokuar, është për t’u ushtruar në përputhje me ligjin”, theksoi Berisha.
Duke komentuar koalicionin qeverisës, Berisha tha se “ky koalicion i përmbushi qëllimet dhe arritjet janë fryt dhe produkt i këtij koalicioni”.
I pyetur mbi procesin gjyqësor të z. Ilir Meta, Berisha tha se lideri i partisë së koalicionit dha shembullin më të shkëlqyer. “Iu nënshtrua një procesi gjyqësor mbi bazën e një dokumenti të prerë e ngjitur 28 herë. Dha dorëheqjen, shkoi para prokurorëve si qytetar. Z. Meta deri sa të jepet vendimi është i pafajshëm. Ai ka siguruar se do të respektojë vendimin e Gjykatës. A do të jetë Meta apo jo në qeveri pas vendimit të Gjykatës, kjo është një çështje që i takon LSI-së”, deklaroi Berisha.
Thursday, 12 January 2012 10:41