Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 14:33

Tiranë- Debati për zgjedhjen e presidentit është ndezur edhe pse është akoma herët për të diskutuar për këtë çështje. Opozita ende nuk ka folur zyrtarisht për mundësinë e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, por mazhoranca duket se ka një merak tjetër.

Ajo ka frikë se presidenti, edhe në rast se mund të jetë një besnik i mazhorancës, mund të tradhtojë. Në mënyrë indirekte këtë problem e ka nxjerrë në pah deputeti Enkelejd Alibeaj që thotë se është provuar se presidentët i janë vënë mazhorancës që i ka zgjedhur. Të kujtojmë këtu se kryeministri Berisha u ankua se përse Bamir Topi nuk i shkonte sipas avazit PD-së.

Ndërkohë ish- kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, tha se Kushtetuta është e qartë për këtë çështje.

“Kushtetuta është shprehur shumë qartë në lidhje me kuorumin në rastet kur ka votim me shumicë të cilësuar prej 84 votash, vetëm nëse duan ta ngatërrojnë vetë me dashje. Kushtetuta është e qartë në këtë pikë, dhe pa kuorum nuk ka votim. Në të gjitha rastet kur nuk plotësohet kuorumi i përcaktuar sipas votimeve, me shumicë të cilësuar apo të thjeshtë nuk mund të hapet votimi”, ka qenë deklarata e djeshme e ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, për gazetën “Shqiptarja.com”. Njëherësh profesori i socialistëve e ka ilustruar këtë veprim kushtetues dhe me përvojën e tij në krye të Kuvendit të Shqipërisë dhe ku gjatë gjithë kësaj periudhë ka qënë nënkryetare nga kampi i opozitës së atëhershme të PD, kryetarja aktuale Jozefina Topalli.

“Unë kam qenë kryetar Parlamenti dhe nuk mund të hapja votimin me shumicë të cilësuar pa pasur një kuorum prej 84 deputetësh prezentë në sallën e Kuvendit, dhe votimin me shumicë të thjeshtë pa pasur 71 deputetë prezentë”, është shprehur ish-kreu i Kuvendit, Pëllumbi. Për të, Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë se sa duhet të jetë numri i deputetëve në të dyja këto raste të votimit në Kuvend. “Në rastin e zgjedhjes së Presidentit me ndryshimet e reja në Kushtetutë, shumica e thjeshtë prej 71 votash u bë vetëm për raundin e katërt dhe të pestë. Por në votimet në tre raundet e para, që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash, kuorumi duhet patjetër të jetë me 84 deputetë prezentë në sallë.”