Tiranë-Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, u shpreh sot në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, se “duke lexuar Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është shkruar nga vetë shqiptarët, kam parë se në nenin 86 të saj, Presidenti i Republikës përshkruhet si bashkimi i shqiptarëve. Atëherë përsa i përket mekanizmit sesi mund të arrihet bashkimi, këtë pjesë ua lë juve”.
Këtë deklaratë ambasadori Sequi e bëri pas takimit me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Sequi vlerësoi mjaft faktin që Avokati i Popullit u zgjodh me 127 vota dhe që maxhoranca pranoi kandidatin e propozuar nga opozita.
“Është një fakt i rëndësishëm që Avokati i Popullit u zgjodh me 127 vota, pra me një shumicë të madhe. Vlerësojmë mjaft mënyrën se si u zgjodh Avokati i ri i Popullit, me një proces që ishte publik, i vështirë dhe transparent. Gjithashtu vlerësojmë edhe gatishmërinë e maxhorancës, e cila pranoi këtë kandidat që ishte zgjedhur nga ky proces”, tha Sequi.
Sipas ambasadorit Sequi, “askush nuk duhet të nënvlerësojë rolin tepër të madh që ka Avokati i Popullit në këtë vend”.
“I kam shprehur z. Totozani sot mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian dhe po ashtu i kam shprehur atij edhe mbështetjen time të plotë. Ne vlerësojmë shumë integritetin, kompetencën dhe profesionalizmin e Avokatit të Popullit si institucion, por edhe të personit vetë”.
Sequi tregoi se sot kishte vënë një kravatë të veçantë që, sipas tij, simbolizon Bashkimin Europian, sepse siç u shpreh ai, “besoj që duhej ta vija këtë kravatë kur vija në këtë institucion sepse ky institucion në fakt përfaqëson vlerat kyçe dhe thelbësore të themelimit të BE, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përfaqësimin e zërit të popullit”.
Sequi shtoi se “vëmendja dhe interesi, mbështetja me të cilin institucionet europiane shohin aktivitetin e kësaj zyre dhe gjithashtu vlerësimin e veçantë për z. Totozani, vërtetohen edhe nga fakti se sot pata kënaqësi t’i paraqes z. Totozani një ftesë për një vizitë në Bruksel”.
Duke shprehur sërish mbështetjen e plotë për aktivitetin e Avokatit të Popullit, Sequi theksoi se “po studiojmë mundësi, projekte apo masa konkrete për të pasur në të ardhmen një bashkëpunim të frytshëm me Avokatin e Popullit”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 January 2012 16:00