Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 15:00

Tiranë- Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi deklaron se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës do të jetë tërësisht në respekt të Kushtetutës së vendit.

Një ndër eksponentët kryesorë të Partisë Demokratike, në një intervistë dhënë në një nga mediat vizive në vend theksoi se konsensus, nuk do të thotë që t’i lësh fushë të lirë për gjithçka opozitës.

Sipas tij Kushtetuta përcakton kriteret e zgjedhjes së presidentit. Olldashi thekson se kandidatura e Presidentit të Republikës duhet të jetë një figurë politike.

“Më mirë të jetë nga Partia kundërshtare se sa jashtë politikës”, deklaroi Olldashi.

Përsa i përket një kandidature të mundshme të Topallit në krye të shtetit Olldashi tha se “edhe pse PD nuk ka ende emra konkretë, Topalli do të ishte një kandidaturë e mirë, pasi ka një karrierë të pasur politike”.

I pyetur mbi kandidaturën e z. Fatos Nano, ish lideri i së majtës, Olldashi tha se Nano nuk ka më shance për të marrë presidencën e vendit.

“Në 2007 jam shprehur në favor të Nanos, por gjërat kanë kohën e tyre dhe vendin e tyre. Besoj që ideja e presidencës së Nanos është jashtë kohe dhe jashtë vendi”, theksoi Olldashi.

Duke folur për presidentin aktual, ai shprehet se “kam qenë kundër kandidaturës së Topit për president, ai nuk e meritonte të ishte në krye të shtetit, pasi nuk plotësonte kriteret”, ndërsa duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit ai thekson se “ka fakte që tregojnë se Topi ishte i përfshirë në tentativën për grusht shteti”.

Ndërsa përsa i përket zërave për krijimin e partisë së Topit, Olldashi shprehet se “partia e Topit nuk dëmton asnjëherë PD-në”. (LajmeShqip.com)