Lajme Shqip Wednesday, 28 September 2011 15:01

Los Angeles – Dje ka nisur proçesi gjyqësor për vdekjen e Michael Jacksonit. Në këtë proçes i akuzuar për vrasjen e këngëtarit është doktori i tij, Conrad Murray.

Seanca ka filluar me zhurmë pasi janë shfaqur foto të këngëtarit të pajetë në shtratin e tij dhe një regjistrim i zërit të tij, një muaj përpara vdekjes. Këto fakte janë paraqitur nga pala akuzuese, që kërkon ta shohë doktorin personal të tij të mbyllur në burg.

Dëshmia e doktorit Murray është bërë e diskutueshme që nga momenti kur ai pranoi një fakt që më parë e kishte mohuar: përdorimin e anestetikut të fuqishëm Propofol.

Regjistrimi i zërit të Michael Jackson-it është bërë me iPhone-in e vetë doktorit, një provë që tregon gjëndjen në të cilën ndodhej këngëtari nën efektin e atij medikamenti.

Në klip dëgjohet zëri i Michael që thotë:

“Duhet të jemi të jashtëzakonshëm. Kur njerëzit të largohen nga kjo shfaqje, kur njerëzit të largohen nga kjo shfaqje, kur njerëzit të largohen nga shfaqja ime, unë dua që ata të thonë: “Nuk kam parë asgjë të tillë në jetën time! Shko! Shko! Nuk kam parë asnjëherë një gjë të tillë. Shko! Është i mrekullueshëm!” Dhe unë do t’i marrë ato para… një milion fëmijë… spitalin e fëmijëve… më të madhin në botë, Spitalin e Fëmijëve Michael Jackson…”

Michael Jackson i ka dashur shumë fëmijët, pavarësisht akuzave ndaj tij për pedofili. Një ndër ëndrrat e tij ishte që të ndërtonte spitalin më të madh të fëmijëve, gjë që e përmendte edhe në momente agonie, nën efektin e medikamentit.  (LajmeShqip.com)