Në mes luleve për homazh do të jenë edhe një sërë koncertesh të cilat do të kurohen në çdo detaj nga familja e legjendës së ndjerë të muzikës, Michael Jackson.
Tre vjet pasi ai u shua, vëllezërit e këngëtarit do të bëhen bashkë në një turne ndërsa fansat me 10 mijë trëndafila mbi varrin e tij.
Do të jetë ky homazhi për mbretin e pop-it i cili u shua në vitin 2009 për shkak të një mbidoze të propofolit, dhe janë fansat ata që kanë bërë të mundur mbledhjen e 30 mijë dollarëve për të dërguar lulet në varrin e tij.
Ndërsa vëllezërit Jackson, 30 vjet pas performancës së tyre të fundit si grupi “Jackson Five” janë ribashkuar në turneun e pagëzuar “The Jacksons”.
Kanë kaluar kështu 3 vjet nga shuarja e artistit, i cili ndërroi jetë më 25 Qershor të vitit 2009, ku mjeku i tij personal Dr. Conrad Murray është shpallur fajtor dhe u dënua me 4 vjet heqje lirie. Pas këtyre betejave, një ndër to edhe ligjore, tashmë gjithçka ka ndryshuar. Fëmijët e M. Jackson, Paris dhe Blanket jetojnë me gjyshen e tyre në Los Angeles dhe e mbajnë përherë gjallë kujtimin e mbretit të pop-it. Paris është vetëm 15 vjeçe, por këtë janar ka vendosur t’i bëjë një homazh të atit të saj në Hollivud, që ka shtangur shumë njerëz. Ajo u shfaq teksa mbante veshur një bluzë në të cilën mes emrit dhe mbiemrit të të atit, ishte vizatuar një zemër.
Ndërsa vëllezërit e tij kanë programuar koncerte në nder të ikonës së muzikës në të paktën 12 qytete amerikane që do të mbahen deri në fund të korrikut, koncerte në të cilat Michael do të jetë prezent virtualisht ndërsa në skenë koncertet do të udhëhiqen simbolikisht nga Jackie Jackson 61 vjeçar, më i madhi ndër vëllezërit Jackson.
Tuesday, 26 June 2012 11:00