Tiranë – Rona Nishliu, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovizion, së bashku me ekipin e saj, është nisur drejt SHBA-së, për të realizuar versionin final të këngës “Suus”.
Versioni i ri i këngës duhet t’i përmbahet rregullave të “Eurovizionit” do të përpunohet dhe incizohet në disa studio prestigjioze në Los Angeles. Udhëtimin e ka bërë të mundur Radio Televizioni Shqiptar dhe kompozitori shqiptar në Amerikë Aldo Shllaku.
Këngëtarja nga Kosova do të performojë në natën e parë të festivalit, 22 maj, i cili këtë vit mbahet në Baku të Azerbajxhanit, së bashku me shtetet si Rumania, Greqia, Rusia, Belgjika, Hungaria, etj.
Nishliu është fituesja e edicionit të 50-të të Festivalit të RTSH-së, që u zhvillua në fund të viti që la pas. Kënga “Suus” me tekst të saj dhe me me muzikë dhe orkestrim të Florent Boshnjaku u vlerësua nga juria si këngë e punuar në mënyrë profesionale dhe e realizuar shumë mirë artistikisht.
Edhe vitin që shkoi, Aurela Gaçe udhëtoi për në Los Angeles për të incizuar versionin përfundimtar të këngës së saj “Kënga ime”. Këtë vit në Eurovizion do të konkurrojnë 37 këngë në dy netë gjysmë finale, 22 dhe 24 maj, ndërsa finalja e madhe do të jetë mbrëmjen e 26 majit.
Tuesday, 07 February 2012 19:30