Rona Nishliu si Aretha Franklin. Mediat e huaja kanë nisur të flasin që dje për fenomenin Rona Nishliu.
“Nga Ballkani vjen një vajzë e re, shumë premtuese, këngëtarja e rrymës pop Rona Nishliu, e lindur në vitin 1986. Kënga e saj titullohet “Suus”, titull në latinisht, tekstin në gjuhën shqipe. Rona përfaqëson Shqipërinë, pavarësisht se është nga Kosova. Këngëtarja e parë kosovare që shkel në Eurovision. Për energjinë që përcolli, ajo është një Chaka Khan ose më mirë një Aretha Franklin e dytë që janë mbretëreshat e “Queen of Funk” dhe “Queen of Soul”. Kjo është një mega perandore që vjen nga Shqipëria”, shkruan Corriere.
Vlerësimet për Ronën nuk kanë të mbaruar. Pak minuta pas debutimit në skenën e Eurovision, këngëtarja mori direkt stafetën për në finale së bashku me 9 vende të tjera.
Kënga mban firmën e kompozitorit Florent Boshnjaku, ndërsa teksti është shkruar nga vetë këngëtarja. Në një intervistë dhënë pak ditë më parë për uebsajtin e Eurosong, “Esctoday.com”, Nishliu tha se ‘Suus’ ka prekur njerëzit me ndjenja, shpirtin njerëzor dhe kjo është dhimbje. “Kur njerëzit ndjejnë dhe e kuptojnë dhimbjen e njëri-tjetrit, atëherë ata kuptojnë se kanë nevojë për mbështetje në ato momente trishtimi dhe dobësie”.
Thursday, 24 May 2012 15:30