Tiranë- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, se “kreu i PS-së Edi Rama dhe segmente caktuara pranë tij, luftuan me të gjitha mjetet kundër ndërtimit të rrugës së kombit, autostradës Durrës-Morinë”. 
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me studentët e Fakultetit të Edukimit të Prishtinës, të cilët ndodhen në Tiranë dhe i’u përgjigj pyetjeve të tyre mbi çështje të ndryshme.
Duke u ndalur te rruga e kombit, Berisha tha se “Edi Rama, me qindra herë është ngritur kundër saj”. Sipas tij, “kjo rrugë është kundërshtuar në mënyrën më të egër nga lobe antishqiptare jashtë vendit, por edhe brenda vendit”.
“Kjo armiqësi ndaj kësaj rruge ishte sepse eksponentë me një formim politik arkaik e konsideronin rrugën e Kombit së pari si një rrugë që do të bashkonte shqiptarët dhe sipas tyre, kjo nuk duhet të ndodhte.
Ndërsa, në rrafshin gjeopolitik, në një vështrim historik të së shkuarës ka ekzistuar një rivalitet mes portit të Durrësit dhe atij të Selanikut. Kur është zhvilluar njëri ka rënë tjetri, ndaj këta individë mendonin se rruga e Kombit do të dëmtonte thellësisht portet e rajonit”, tha Berisha.
Kryeministri tha se këto grupe bënë gjithçka për ta penguar ndërtimin e kësaj rruge, por nuk ia dolën, pasi ajo është një vepër publike që ndërtohej në territorin e Shqipërisë dhe Shqipëria është vend sovran.
Duke bërë transparencë mbi fondet që u shpenzuan për ndërtimin e kësaj rruge, Berisha tha se “rruga e Kombit kalon në terrenin më të vështirë dhe natyrisht që është një rrugë e kushtueshme”.
“Por, atyre që iu bien borive se ka një korrupsion prej qindra milion euro, unë u them se kostoja e përgjithshme e kësaj rruge është më pak se 10 milion euro për kilometër, edhe pse ka mbi 11 km tunel”, tha Berisha, duke shtuar se rruga u ndërtua në trajektoren më të shkurtër.
Sipas tij “Edi Rama ka të drejtë të rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj kësaj rruge, pasi është njerëzore të gabosh, por nuk mund të deklarojë se nuk ka qenë ndonjëherë kundër rrugës, sepse shqiptarët kanë memorie”.
Friday, 16 December 2011 12:04