Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 16:15

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, në mbledhjen e qeverisë, se opozita po bëhet pengesë në arritjen e reformave dhe në luftën ndaj korrupsionit.

Kryeministri hedhi akuza ndaj kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili, sipas tij, qëllimisht zgjodhi këtë kohë për të bllokuar reformat.

“Kryetari i Partisë Socialiste zgjodhi kohën dhe momentin në traditën e tij primitive të papajtueshme për integrimin. Javën që kaloi shpalli bllokimin e reformës zgjedhore, shpalli bllokimin e reformës parlamentare, shpalli bllokimin e Kodit, duke vendosur një nen për dënimin kolektiv që nuk është në asnjë kod të planetit. Ai përdor deputetët e tij si mercenarë, duke propozuar nene absurde. Këto nuk janë sinjale që presin ndërkombëtarët nga Shqipëria. Ne do të vazhdojmë pandërprerë reformat në të gjitha fushat, ku Edi Rama nuk mund të bllokojë”, tha Berisha.

Sipas tij, “Rama i thur himne Serbisë se e mori statusin dhe se mori Shqipëria, sepse z. Rama bllokon vetë. Ne këtë çështje do t’ia lëmë shqiptarëve ta zgjidhin dhe do ta japin në qershor të vitit të ardhshëm. Ai mund t’u thotë shqiptarëve se dita është natë dhe nata është ditë”.

Berisha u shpreh se Rama po përgatit disfatën më të thellë në 22 vitet e fundit. “E paimagjinueshme që në javën e fundit të bllokonte procesin që po ecte. Doli ashtu siç është jo në foto, por në shpirt. E panë shqiptarët se si veproi këtë javë ku për Shqipërinë do të vlerësoheshin hapat. Në konceptet e tij si pinjoll i bllokut karrierën mund ta ndërtojë ose mbi fatkeqësinë natyrore ose atë të rrënimit”, tha Berisha. (LajmeShqip.com)