Tiranë -” Integrimi i Shqipërisë duhet të konsiderohet nga klasa politike shqiptare si një hap përpara, si një proces që luan një rol kyç në zhvillimin e vendit”, u shpreh sot kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, gjatë prezantimit të projektit të binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian në mbështetje të forcimit të Kuvendit.
Sequi i bëri thirrje klasës politike shqiptare për të kapërcyer krizat me anë të dialogut, ashtu siç po vepron Bashkimi Europian me krizat e tij.
“Ne vetëm mund të ndihmojmë, jo t’u zëvendësojmë në punën që bëni. Suksesi i projektit të secilit varet nga zgjedhjet që ai bën. Ne si BE kemi premtuar që të ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE. Ne po e mbajmë këtë premtim, sepse mendojmë që thyerja e premtimeve rezulton në prishjen e besimit. Ne nuk duam të përjetojmë kriza të besimit. Sondazhet e mendimit të popullit shqiptar tregojnë se shqiptarët kanë shumë besim tek BE. Ne duhet ta rifitojmë sëbashku besimin. Çdo krizë është një mundësi për t’u përmirësuar. Është pikërisht nëpërmjet dialogut që BE po trajton krizën që e ka kapur”, tha Sequi.
“Vitin e kaluar ne përmbyllëm këtë projekt pikërisht në një periudhë kur në Shqipëri nuk kishte një dialog politik të kopsitur mirë. Ne shpresojmë që në aspektin politik të ketë një funksionim më të mirë. BE beson se duhet angazhim për të pasur ecuri në këtë objektiv kombëtar”, theksoi ambasadori i BE-së.
Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë citoi Komisonerin Stefan Fyle sa i takon integrimit, ndërkohë që u shpreh se BE pret hapa konkrete të Shqipërisë.
“Për të pasur ecuri në këtë objektiv ndërkombëtar, do doja të citoja Stefan Fylen, që thotë se integrim do të thotë transformim, integrimi është kalimi në një demokraci të qëndrueshme. Së bashku me shqiptarët ne po punojmë me grupin e punës që po punon për reformën zgjedhore dhe rregulloren e parlamentit si dhe ligjet që kërkojnë 3/5 e votave”, nënvizoi Sequi.
Sipas tij, “demokracia ngrihet si një vlerë universale. BE, që është mishërimi i shpresave të drejtësisë, të demokracisë, është pikërisht një vlerë që reflektohet nga dëshirat e shqiptarëve, reflektohet dhe në pozicionimin e të gjithë forcave politike. Reflektohet gjithashtu edhe në studimet që shqiptarët bëjnë në vendet e Europës dhe kthehen pastaj në vendin e tyre. Shprehet gjithashtu dhe në sondazhet e publikut. Vit pas viti janë 99% të shqiptarëve që janë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo mbështetje kaq e lartë, kjo ëndërr kaq e fortë, meriton që t’i jepet përparësi nga institucionet shqiptare. Dhe Kuvendi është pikërisht forumi ku mblidhen përfaqësuesit e Shqipërisë, të mandatuar për të ndjekur pikërisht këto ëndrra, dëshira dhe aspirata të popullit”.
Duke folur mbi projektin e binajkëzimit, Sequi deklaroi se “Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar ndihmë BE-së për forcimin e funksionimit të Kuvendit. Kësaj dëshire të Kryetares iu përgjigj ky projekt me angazhimin e Kuvendit hungarez dhe Senatit të Asamblesë franceze. Ekipi i projektit do të sjellë përvojën e të gjithë anëtarëve të BE-së për stafin e Kuvendit shqiptar”.
Sipas ambasadorit të BE-së, “suksesi i këtij projekti do të varet pikërisht nga fakti se sa pritës do të jetë Kuvendi shqiptar ndaj këtyre eksperiencave. Në këtë aspekt duhet zgjedhur nëse do të ndjekim rrugën e integrimit europian apo thyerjen e premtimeve”.
Sequi u shpreh se “BE vepron si vlerësues objektiv i çështjeve, si miq, si këshilltarë, duke investuar 1.5 milionë euro nga taksapaguesit europianë për t’iu dhënë eksperiencën e vendeve të BE-së. Ne e vlerësojmë ecurinë e demokracisë tuaj çdo vit me anë të raportit të progresit”. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 February 2012 13:13