Lajme Shqip Tuesday, 28 February 2012 13:41

Tiranë – Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se përparimi i Serbisë në marrjen e statusit kandidat  për në Bashkimin Europian tregon edhe njëherë dështimin e Shqipërisë në procesin e integrimit.

Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka theksuar se vendi ynë rrezikohet sërish të mbetet jashtë dyerve të Europës duke dështuar kështu për të tretën herë.

“Përparimi i Serbisë nxjerr në dritë prapambetjen e Shqipërisë. Ajo çka kurrë s`duhet të kishte ndodhur po ndodh. Shqipëria jo vetëm parakalohet nga Serbia në një proces ku objektvisht gjendjej shumë më përpara por rrezikon të mbetet përsëri jashtë duke dështuar si askush tjetër në historine e integrimit europian për të trejtën herë radhazi” ka theksuar Rama.

Duke iu përgjigjur edhe akuzave të kryeministrit Berisha se opozita po bllokon procesin e integrimit, kryesocialisti Rama ka theksuar se shefi i qeverisë po mundohet të fsheh dështimin duke ngritur mjegullën e fajësimit kundër opozitës.

“Opozita i ka bërë detyrat e shtëpisë ndërsa qeveria s`ka bërë asnjë nga detyrat e saj të drejtpërdrejta. Statusi nuk merrret vetëm duke miratuar ligjet me 3/5 dhe ja ku jemi falë angazhimit të opozitës por përveç miratimit duhet të ketë implementimtë ligjeve, drejtësi e barabartë, shoqëri e lirë me konkurencë dhe këto janë detyra shptëpie për qeverinë dhe jo për opozitën” ka shtuar më tej Rama.

Sipas tij mjegulla e fajësimit të opozitës e cila po ngrihet nga kryeministri s`mund ta pengojë Komisionin Europian të shikojë se si qëndron e vërteta.

“Sinjali i fortë që vjen drej Serbisë është vërtet një sinjal shumë negativ për vetë Shqipërinë. Fatkeqësisht nuk ka mjaftuar dot as angazhimi ynë total për përfundimin në afat i reformës zgjedhore ashtu siç ishte edhe marrëveshjen e arritur. Teksa afati është shkelur, refoma është në hapat e para për shkak të zvarritjes së qëllimshne nga pala tjetër” ka shtuar më tej Rama.