Lajme Shqip Thursday, 13 March 2014 14:42

Dita e sotme është shpallur ditë zie nga  komuna e Leço-s në Itali, për nderë të tri vajzave të vogla të vrarë nga nëna e tyre. Flamuri në godinën e bashkisë është ulur në gjysmë shtizë.

Sot në ditën që trupat e vogëlusheve nisen drejtë Shqipërisë, në Lecco është dita e heshtjes dhe kujtimit.

Simona, Kejsi dhe Sidni janë fytyrat e dramës që kanë bashkuar komunitetin e shqiptarëve në Lecco dhe shumë komunitet të tjera të huaja.

“Dhimbja ka dimension familjar por edhe civil dhe publik. Është një moment që përfshin edhe qytetin për atë që ka ndodhur për t’i qëndruar afër familjes”, shprehet kreu i bashkisë së Lecco-s, Virginio Brivio.

Stafi i bashkisë ka mbajtur edhe një minutë heshtje. Sot në Lecco ka qenë i pranishëm dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, bashkë me prefektin dhe presidentin e provincës për të bërë nderime për viktimat.

Shumë nga shokët dhe shoqet e klasës së tri vajzave të vogla kanë vizatuar, shkruar dhe ngjyrosur zemra. Në një prej mesazheve shkruhet: “Na vjen keq për ju dhe nënën tuaj të sëmurë”. Gjatë përcjelljes për në Shqipëri, shumë njerëz dolën në rrugë për t’u dhënë lamtumirën e fundit.