Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 07:30

Tiranë-Kreu i PS-së, Edi Rama, u është përgjigjur deklaratave të Berishës se ai dhe Partia Socialiste kanë qenë kundër ndërtimit të Rrugës së Kombit. Rama ka thënë se nuk ka qenë kurrë kundër kësaj rruge, e cila është turpi i Berishës.

“E kam sfiduar dhe e risfidoj të provojë me një dokument të vetëm që unë apo cilido nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste të jetë shprehur kundër rrugës së kombit si projekt. I them turp, turp, turp që me rrugën e kombit keni bërë një biznes duke i grabitur fondet e taksapaguesve shqiptarë” ka theksuar Rama.

Duke iu referuar edhe deklaratave të partive të vogla për reformën zgjedhore, Rama ka theksuar se PS-ja është e gatshme të bashkëpunojë me to për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Dua të përsëris vullnetin e plotë të PS-së për tu dëgjuar dhe për tu dakortuar me cilëndo parti të vogël për ndryshimin e sistemit zgjedhor” ka shtuar më tej Rama.

Ndërsa i është referuar mbledhjes së kryesisë së PS-së, Rama ka shtuar se antarët e rinj janë në dispozicion të fitores në zgjedhjet e ardhshme.

“Zhvilluam një mbledhje konsultative dhe jam i kënaqur sepse ishte një mbledhje që më krijoi bindjen në zgjedhjen e bërë nga Asambleja të antarëve të rinj dhe për disponimin e antarëve të rinj për tu vënë në dispozicion të fitores së zgjedhjeve të ardhshme” ka shtuar Rama.