Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 12:10

Prishtinë – Energjia është sektor kyç për ekonominë e Kosovës, veçanërisht për shkak të potencialeve të mëdha të burimeve të linjitit që ka vendi, u shpreh të premten kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në konferencën “Alternativat Energjetike në Kosovë”, organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

“Sipas skenarëve aktualë, sektori energjetik te ne është i dominuar nga Korporata Energjetike e Kosovës. Pothuajse 90% e prodhimit të energjisë është nga linjiti. Procesi i reformimit dhe ristrukturimit në ketë sektor  po kalon nëpër shumë vështirësi,  duke dështuar kështu së paku deri më tani, të përmbushë objektivat e vëna nga Strategjia për energji dhe legjislacioni vendor e ndërkombëtar”, tha Krasniqi në këtë konferencë.

“Kosova synon integrimin në BE, andaj jemi të vetëdijshëm që ky proces, përveç që kërkon reformim dhe ristrukturim të thellë të sektorit energjetik, njëkohësisht kërkon edhe një qasje të re”, u shpreh Krasniqi, duke shtuar se “në këtë drejtim Kuvendi, qeveria dhe institucionet adekuate për sektorin e energjisë, do të avancojnë një numër reformash dhe strategjish”.

Në tryezën e organizuar nga Konsorciumi i shoqërisë civile “Për zhvillim të qëndrueshëm” mbi alternativat e energjisë në Kosovë, u prezantua një studim i Laboratorit të Universitetit të Kalifornisë ‘Berkeley’ për skenarët e mundshëm të energjisë në Kosovë. Dr. Daniel Kammen, profesor në Berkeley dhe autor i studimit, prezantoi gjetjet rreth mundësive që ka Kosova për të prodhuar energji të pastër. “Një skenar i joni, që është mjaft konservativ, pra nuk kemi shkuar në formë agresive të llogaritjes së potencialit të energjisë së ripërtëritshme, tregon se Kosova mund të ketë 38% të energjisë që shpenzon nga burime alternative”, tha dr. Kammen, duke potencuar se ky skenar, pa përfshirë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, do të mund të krijonte 27% më shumë vende të reja të punës sesa skenari aktual.

Skenari i prezantuar parasheh një kapacitet deri në 141MW nga burimet e erës, 140MW nga hidrocentralet, 800kW nga energjia solare dhe deri në 165MW nga biomasa. Sipas këtij skenari, Kosova do të mund të kishte furnizim të mjaftueshëm, pa pasur nevojë të ndërtohen kapacitete të reja gjeneruese nga qymyri, deri në vitin 2020.