Lajme Shqip Friday, 22 March 2013 13:07

Prishtinë -(E plotësuar) Me fishkëllima filikaçash, parulla të ndryshme, shumë zhurmë dhe fjalime kundër korrupsionit dhe hajnisë “që po mbretëron nëpër institucionet publike” është mbajtur protesta e sotme e qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në Prishtinë, kundër.

Protestuesit kanë përfunduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës përderisa qytetarë të shumtë i janë bashkuar përsëri turmës që bënte zhurmë kundër hajnisë.

Yll Rugova, njëri prej organizatorëve të protestës ka thënë se shoqëria kosovare është sot në shesh për të denoncuar hajnin që po ndodh jo vetëm në KEK por dhe në institucionet e tjera administrative dhe qeveritare.

Sipas tij, e njëjta shoqëri ka ditur të organizohet edhe në momente më të vështira sesa ato që janë sot, ndërsa ka paralajmëruar se protesta kundër hajnisë, siç tha ai, të qeveritareve të Kosovës do të vazhdojë.

“Këto janë protesta e para që janë bërë për shkak se na është vjedhur në xhep. Është zhurma ajo që këta njerëz nuk kanë me na vjedh më dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ndalen, pra me zhurmë. Hajnitë nuk janë vetëm në KEK, janë edhe tek uji, hajnia është gjithkund dhe ata po vazhdojnë të na vjedhin sistematikisht”, ka thënë Rugova.

E, kritika ka hedhur edhe në drejtim të Bashkimit Europian.

“Europa në anën tjetër i shfrytëzon ata. Ajo kërkon nga ata që të ndërtojnë një sistem antidemokratik sepse ky fenomen ekziston në themelet në vendet pa zhvilluara”, ka thënë ai.

“Shoqëria kosovare është e hutuar nga politikanët e korruptuar. Korrupsioni është mentaliteti i politikës, korrupsioni është mënyra e jetës së politikanëve tonë”, shtoi ndër të tjera Rugova.

Sipas, tij shkarkimet e fundit nuk zgjedhin asgjë në rastin e KEK-ut, sepse asnjë njëri prej të shkarkuarve nuk është dënuar ashtu si duhet.

“Andaj kjo është arsyeja se pse protestat do të vazhdojnë që politikanët të japin llogaridhënie për qytetarët sepse nuk jemi budallenj që ta shkatërrojmë shtetin ne jemi për me e zhvillu shtetin sidomos dhe këtë do të bëjmë edhe me zhurmë”, tha ai.

Kurse, Avni Zogiani nga organizata “Qohu” tha se shumica e ministrave që janë sot në Prishtinë erdhën pas asnjë dysh në xhep.

“Shumica e ministrave të qeverisë së Kosovës erdhën në Prishtinë me halle të mëdha financiare. Ata sot janë kthyer në milionerë. Ata nuk i kanë milionat nga fabrikat, sepse kur erdhën në qeveri, fabrika nuk kishin. Ata nuk i kanë milionat nga idetë e tyre, sepse ide nuk kishin”, tha ai.

“Ata nuk i kanë milionat nga shitja e pikturave të trashëguara nga prindërit e tyre, sepse një prejardhje të tillë nuk e kishin. Ata kanë milionat, sepse shitën zyrat publike për klientët e tyre. Ata kanë milionat sepse përdorën pushtetin për tu pasuruar. Ata sot janë milionerë sepse Kosova çdo vit u bë më e varfër. Ata janë milionerë sepse bënë një privatizim që varfëroi ekonominë, janë milionerë sepse vazhdojnë të shesin territor të Kosovës”, shtoi Zogiani.

Edhe ky adresoi një varg kritikash ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

“Paradoksi i vërtet i kësaj situate qëndron në faktin se ne kemi një mision të BE-së për sundimin e ligji, i cili është thjesht një trashëgimi e një misioni tjetër ndërkombëtar, UNMIK-ut. EULEX nuk e lufton korrupsionin në Kosovë, por e shfrytëzon atë. E shfrytëzon atë për të kontrolluar politikën e për të sjellë kompromise të vazhdueshme në dëm të shtetësisë së Kosovës”, tha Zogiani.

Protestuesit: Europa nuk donë hajna

Qindra qytetarë janë mbledhur sot në një protestë kundër KEK-ut, përderisa të njëjtit njerëz, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të tjerë janë mbledhur për të protestuar kundër fryrjes së faturave të energjisë elektrike, një ngritje të cilën e konstatoi edhe Zyra e Regullatorit të Energjisë Elektrike dje.

Në protestë edhe sot kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqërive të ndryshme civile ashtu sikurse në protestën e kaluar.

Protestuesit janë duke marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës përderisa po brohorasin parulla si “Hashim hajni”, “Europa nuk donë hajna”, dhe parulla të tjera.

Protestës edhe këtë herë iu kanë bashkangjitur dhjetëra organizata joqeveritare, organizatat studentore, subjektet politike, sindikatat dhe grupet e artisteve.

Lëvizja studentore për barazi “Studim Kritikë Veprim”, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se do t’i bashkëngjitet këtij marshi dhe sipas tyre për këtë gjendje aktuale dikush duhet të jap përgjegjësi.

“Ne kërkojmë përgjegjësi nga institucionet e Kosovës, të hetohen njerëzit të cilët kanë ndihmuar në fryrjen e çmimeve të faturave, dhe jo vetëm, dhe të cilët duhet të dënohen. Rritja e çmimit të rrymës ka një kronologji e cila rrjedhë veçanërisht nga 17 tetori i vitit të kaluar, ku edhe u nënshkrua privatizimi i Distribucionit të KEK-ut me një çmim prej 26.3 milion euro. Distribucioni i KEK-ut u shit, edhe pse kishte 290.000.000 euro qarkullim vjetor, 180.000.000 euro investime, 450.000 konsumatorë, 21.000 km tel përçues, 7.000 trafo të tensionit të ulët, 37 objekte afariste, 22 hektarë tokë, një treg të përjetshëm dhe zero konkurrencë”, thuhet në komunikatë të tyre.

Ndryshe, qytetarët tash e disa muaj janë duke protestuar për fryrjen e faturave të KEK-ut për muajin janar, Ata kanë kërkuar dorëheqjen e MZHE-së, Besim Beqaj dhe drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka. (GE/LajmeShqip.com)