Lajme Shqip Wednesday, 13 March 2013 14:01

Prishtinë (e plotësuar)  – Mijëra protestues iu përgjigjën sot organizatorëve të marshit “Kundër hajnisë – për zhvillimin e shtetit”, që u mbajt në kryeqytet. Ata, ashtu siç ishte paralajmëruar, u mblodhën pikërisht në orën 12 para zyrave të KEK-ut, prej nga marshuan paqësisht nëpër Sheshin “Nënë Tereza” deri para godinës Qeverisë, e cila bashkakuzohet nga qytetarët për fryrje faturash për energjinë. Protestuesit në fakt manifestuan pakënaqësinë përgjithësisht ndaj gjendjes në të cilën është katandisur vendi, ndaj varfërisë, korrupsionit dhe papërgjegjësisë.

Aktorja me famë ndërkombëtare, Arta Dobroshi, e cila iu bashkua organizatorëve,  kur u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestë, përmendi se “mbi 40 për qind e popullit tim janë të papunë dhe krejt kjo si pasojë e keqqeverisjes”.

Yll Rugova, nga Grupi i qytetarëve të organizuar, kishte bërë thirrje që kësaj proteste paqësore t’i bashkohen të gjitha institucionet dhe organizatat, qofshin ato politike apo joqeveritare, në mënyrë që të ndihmojnë protestën me pjesëmarrje sa më të madhe, kurse Ilir Deda nga Instituti “KIPRED”, tha se ky është marshi i parë i këtij viti kundër së keqes.

Ndër protestues ishte edhe deputetja e AAK-së Donika Kda – Bujupi, drejtuesja e Grupit Koha, Flaka Surroi dhe shumë emra të jetës publike e politike.

Në komunikatën e Grupit të qytetarëve të Organizuar rreth organizimit të protestës së sotme thuhet se “ditëve të fundit janë raportuar nëpër medie ankesa nga një numër i madh i qytetarëve të cilët ankohen për faturat e reja të fryra të muajit shkurt. Në anën tjetër, zyrtarë të KEK-ut po i quajnë normale vjedhjet dhe rritjen e faturave duke tentuar ta maskojnë vjedhjen me gabimin.

Ne ia bëjmë me dije KEK-ut dhe të gjitha institucioneve relevante për çështje të energjisë se vjedhja nëpër tërë territorin e Kosovës nuk mund të jetë lëshim dhe se faturat e ardhura kudo me fryrje dhe asnjëherë me zvogëlime vlerash tregon për vjedhje me paramendim dhe kurrsesi për gabime a lëshime punëtorësh”.

Protestuesit në protestën e fundit e kanë kundërshtuar ashpër përjashtimin e punëtorëve nga puna dhe masat tjera të marra ndaj tyre, duke shprehur sigurinë e tyre që fajtorët janë në majat e hierarkisë së KEK-ut dhe institucioneve të tjera relevante.

Ne kërkojmë shkarkimin zinxhiror të menaxhmentit qendror, hetimin nga prokuroria dhe futjen në burg të fajtorëve, me një fjalë ne kërkojmë sundim të drejtësisë dhe funksionim të institucioneve për të cilat ne qytetarët e Republikës së Kosovës paguajmë taksa. Por, para të gjithë këtyre ne kërkojmë ndalimin e shkyçjeve pa u sqaruar krejt situata e krijuar pas hajnisë së KEK-ut e cila po vazhdon sipas dijenisë sonë për dy muaj rresht, ndërkaq dyshimet për hajni të tilla gjatë muajve të tjerë do të duheshin vërtetuar pas hetimeve të thella që institucionet përgjegjëse nuk po i bëjnë.
Protesta përfundoi e qetë, por  me paralajmërime për manifestime  të tjera.(LajmeShqip.com)