Lajme Shqip Monday, 24 October 2011 17:44

Prishtinë – Ambasadori i Francës në Republikën e Kosovës, Zhan Fransua Fitu, e ka quajtur fashizëm një aksion të lëvizjes Vetëvendosje derisa ai dhe ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, po mbanin një ligjëratë në institutin privat ISPE.

Aktivistë të lëvizjes Vetëvendosje e kanë ndërprerë sot një ligjeratë për liberalizimin e vizave të ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi dhe ambasadorit të Francës, Zhan Fransua Fitu, para studentëve të Institutit për Studime Evropiane. ISPE.  Pas fjalimeve të ministrit dhe ambasadorit, një aktivist i Vetëvendosjes e ka akuzuar ministrin Rexhepi për mosprani në veri të vendit dhe më pas disa aktivistë të tjerë kanë fishkëlluar dhe hedhur pamflete në sale.

“Ti flet për veriun e vendit si spectator… ti ke thënë se një ditë do t’i vijë fundi i durimit të KFOR-it, d.m.th. t’i flet si zëdhënës i KFOR-it, d.m.th. mungesa e veprimit ty të bën si zëdhënës i KFOR-it e kurrsesi ministër”, i kanë thënë Rexhepit, aktivistë të Vetëvendosjes.

Ka reaguar menjëherë ambasadori i Francës, Zhan Fransua Fitu, duke e quajtur fashizëm veprimin e aktivistëve të Vetëvetendosjes.

“Gjëja e parë që duhet të bëni është të mos silleni si bandat fashiste. Ne jetojmë në një vend demokratik dhe mendimet e ndryshme për dialogun, për Evropën etj., pranohen. Por, të vish në një takim, ta fyesh ministrin e të flasësh banalitete, më falni, por kjo është Evropa e vitit 1943. Kjo është fashizëm. Dhe këto veprime vendi im dhe të tjerët do t’i kundërshtojnë”, ka thënë menjëherë ambasadori francez.

Ndërkaq ministri Bajram Rexhepi tha se deklaratat dhe veprimet e tilla bëhen për qëllime politike dhe se ai ka qenë disa herë i pranishëm në veri të vendit.

“Mua nuk më bëjnë shumë nervoz disa fëmijë të lazdruar që sillen rrugëve. Bash janë fëmijë të lazdruar. Se deri ku lëvizë Ministri i Punëve të Brendshme, unë i ftoj në veturën personale e jo në Suhodoll e në Lagje të Boshnjakëve, por shumë më thellë, por ata duhet të përgatiten psiqikisht, sepse mund të kenë frikë”, tha Rexhepi.

Policia e Kosovës arriti menjëherë pas incidentit.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se janë 10 aktivistë të saj të arrestuar pas aksionit të sotëm. (LajmeShqip.com)