Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 16:19

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar sot ndaj disa deklaratave të ndërmarra ndaj tij dhe institucionit që përfaqëson, nga individë apo grupe të caktuara partiake lidhur me vizitën e suksesshme në Shkodër.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se “në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale, Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj”.

Mesazhi kritik i Presidentit, thuhet në njoftim, “siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive, i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës. Çdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike”.

Presidenti konsideron se “këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën, as traditat e saj të çmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifike pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qytetarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përveç grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike”.

Edhe njëherë, Presidenti i Republikës rishpreh vlerësimin e tij më të lartë për Shkodrën dhe gjithçka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Ky vlerësim, thuhet  në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës, përbën bazën e nismës së Presidentit për të nderuar ditët e fundit disa nga personalitetet e saj më të shquara qytetare, kulturore e sportive, si dhe të qëndrimit të tij permanent në mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e traditës së pasur të qytetarisë shkodrane.