Lajme Shqip Monday, 17 October 2011 19:21

Shkodër – Të rinjtë shkodranë kanë vijuar edhe të hënën reagimet e tyre ndaj deklaratave të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të bëra dy ditë më parë në Shkodër, i cili, sipas tyre, ka fyer gjuhën dhe dialektin e qytetit të Shkodrës dhe veriut shqiptar në përgjithësi.

Disa grupime të rinjsh, të vendosur pikërisht përpara memorialit të poetit At Gjergj Fishta, tubimin e tyre protestues ndaj presidentit Topi kanë preferuar ta bëjnë përmes një koncerti artistik, si dhe interpretimit të vargjeve të Fishtës, ndërkohë që në duar mbanin pankarta ku shkruhej “Ndihem krenar që flas gegnisht”, “Bamir, kërkoi falje Fishtës, Mjedës, Camajt e Koliqit”, “Me folë gegënisht asht me folë shqip” etj.

Ndërkohë, ka ardhur edhe një reagim tjetër zyrtar nga ana e Shoqatës “2 Prilli”, në të cilen thuhet se “si qytetarë të Shkodrës, si përfaqësues të shpirtit liridashës, tolerant e antikomunist të këtij qytetit, shprehim revoltën tonë të thellë për fyerjen e pafalshme dhe intolerancën e Kryetarit të Shtetit, Bamir Topi, kundër Shkodrës e gjuhës tonë. Askush në historinë tonë kombëtare nuk e ka përdhosur kaq fort veten, duke thënë se gjuha e Shkodrës nuk është shqip. As Enver Hoxha nuk e bënte me kaq banalitet”.

Në deklaratën e kësaj shoqate, duke iu drejtuar Kreut të shtetit, theksohet se “ka vite që ju Zotni na fyeni ne si demokratë e antikomunistë. Na ke fyer kur dekorove ato që dënuan me pushkatim gjatë komunizmit, fëmijët tanë. Na ke lënduar kur nuk firmose ligjin e lustracionit. Na ke plagosur shpirtin kur dekretove hetues e spiunë të sigurimit në majë të drejtësisë. Na tradhëtove kur të pamë si votues me 8 Maj! Na vrave mbështetjen e votës që Shkodra të dha për t’u ngjitë në majë të Presidencës”.

Anëtarët e kësaj shoqate antikomuniste i kërkojnë Presidentit Topi t’i kërkojë falje Shkodrës për deklaratat e tij.

Të pakënaqur nga deklarata e Presidentit të Republikës dy ditë më parë në qytetin e Shkodrës, janë edhe artistët e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, të cilët protestën e tyre kanë preferuar ta përcjellin me interpretimet në gegnisht të vargjeve të Fishtës, Migjenit, Mjedës, Pipës, Camajt etj.