Tiranë – Kreu socialist, Edi Rama, ka zgjedhur rrjetin social Twitter, që t’i përgjegjet kryeparlamentares Jozefina Topalli, për akuzat si anti-europianë që ajo ia bëri kryeopozitarit Edi Rama dhe Presidentit Bamir Topi.
“Nëse Presidenti dhe unë jemi një celulë anti-europiane atëherë Jozefina është Marelyn Monroe, kurse Saliu John Lennon”, ka shkruar Rama në Twitter.
Nëpërmjet këtij mesazhi të shkurtër, të publikuar edhe në blogun e tij në faqen zyrtare në internet, kreu i opozitës Edi Rama reagoi ndaj komenteve të Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli.
Në një intervistë kryeparlamentarja Topalli deklaroi se “lidershipi i Partisë Socialiste është kthyer në një celulë anti-evropiane”. Ndërsa, duke iu referuar presidentit Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit kishte thënë se nëse kreu i shtetit do të formojë parti të re, ai do të marrë vota nga e majta.
“Zoti Topi ka luajtur në fushën e majtë gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo nuk më intereson aq, sa më dhemb fakti që kjo është një fyerje ndaj karriges së presidentit”, ishte shprehur Topalli.
Saturday, 15 October 2011 09:01