Lajme Shqip Sunday, 16 October 2011 16:14

Shkodër – Qendra kulturore “Pjeter Gaci” në Shkodër i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të kërkojë falje për deklaratën e bërë një ditë më parë në këtë qytet, kur në reagim të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Kreu i Shtetit u shpreh se “spikeri ose spikerja i merr tekstet nga të tjerët, çështja është sa në mënyrë cilësore e lexon atë. I ftoj të tregohen qytetarë dhe të flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”.

“Si qytetarë të Shkodrës, si përfaqësues te traditës e kulturës shkodrane, shprehim indinjatën e thellë për konsideratat e turpshme e aspak te denja për një drejtues institucioni e aq me pak për kreun e shtetit!”, thuhet në deklaratën e Qendrës kulturore “Pjeter Gaci”.

Anëtarët e kësaj qendre i bëjnë thirrje Presidentit që t’i kërkojë falje Shkodres dhe shkodranëve për deklaratat fyese ndaj dialektit shkodran, “me të cilin penat e arta të Shkodrës në shekuj stolisën gjuhën shqipe!”.

Një ditë më parë, Presidenti Bamir Topi gjatë një vizite që zhvilloi në Shkodër iu përgjigj interesimit të medias lidhur me deklaratën e kryeparlamentares Topalli se “Topi është pozicionuar majtas dhe së bashku me Ramën janë përgjegjës për refuzimin e statusit të vendit kandidat”.

Nga Shkodra, Presidenti tha për mediat “së pari, këto zonja apo zotërinj duhet të dinë të komunikojnë në mënyrë etike, pasi komunikojnë me institucionin e Presidencës. Nëse do dalim me ndonjë plan tjetër, spikeri ose spikerja i merr tekstet nga të tjerët, cështja është sa në mënyrë cilësore e lexon atë. I ftoj të tregohen qytetarë dhe të flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte”.

Në përgjigje të Presidenti, zyra e shtypit e Kuvendit reagoi duke nënvizuar se “znj.Topalli flet me krenari dhe vetëdije shqipen më të bukur, si Fishta. Topalli flet gjuhën e Idromenos, Migjenit dhe Gurakuqit. Haxhi Qamili s’e kupton gjuhën që flet Jozefina Topalli”.