Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar sot seanca për kryetarin e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Në seancë ishte i pranishëm edhe vetë kryetari i bashkisë së Vlorës dhe shtatë të pandehurit e tjerë të cilët akuzohen për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”.
Avokatët e të pandehurve kanë kërkuar pushimin e çështjes, me arsyetimin se Prokuroria e Vlorës ka shkelur procedurat gjatë hetimit. Ndërsa kryebashkiaku Gjika e ka cilësuar hetimin e tij si një proces të montuar nga prokuroria dhe se është hetuar në mënyrë skandaloze.
“Në fakt siç e shikoni unë jam prapë në seancë çdo të hënë. Këto nuk ishin vetëm kërkesat e mia. Ky është një proces i montuar nga prokuroria, prandaj unë jam në paqe me moralin tim, sepse e di si ka filluar dhe pse është hetuar në mënyrë skandaloze. Ky proces ka filluar 3-4 muaj pas zgjedhjeve dhe sot prokuroria kërkon kohë. Kjo të skandalizon. Ka pasur shkelje të afateve të hetimit. Prokuroria nuk ka zbritur nga qielli, por është këtu për të bërë punën”, -deklaroi Gjika.
Megjithatë Gjika garantoi se ai do të jetë i pranishëm në çdo seancë që do zhvillohet në kryeqytet për të mbrojtur moralin e tij. Seanca e radhës është caktuar për të hënën e ardhshme, kur do të dëgjohen pretendimet e organit të akuzës.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka falsifikuar, në bashkëpunim, procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-së së Vlorës, duke ndryshuar përmbajtjen e tyre. Në vijim këto dokumente dyshohet se i kanë “hapur rrugë” ndërtimit për dy pallate shumëkatëshe në qytetin bregdetar.
Monday, 03 March 2014 14:42