Lajme Shqip Friday, 15 November 2013 11:20

Vlorë- Sot zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika.

Prokuroria e Vlorës akuzon Gjikën se në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë.

Një javë më parë kryetarit i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është shprehur se do flasë qartë në seancën e gjykatës mbi të gjitha akuzat që janë bërë në emër të tij.

Ai ka deklaruar se do të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore për të respektuar institucionet, shkruan shekulli.

“Unë nuk kam folur, kanë folur faktet dhe letrat të cilat janë përfaqësuar nga avokati që përfaqëson çështjen time dhe patjetër që do jem në sallën e gjyqit si njeri që ka respektuar deri tani institucionet e shtetit, ligjet e shtetit dhe patjetër që do të jem në sallën e gjyqit në shenjë respekti për punën time, qëndrimin tim, ndërgjegjen time dhe sigurisht për institucionin e gjyqësorit”, tha Gjika.

Gjika ka theksuar gjithashtu se është i pafajshëm dhe duke dhënë shpjegime se mungesa e tij para opinionit publik dhe medias ka ardhur për t’i lënë vend përgjigjeve të pyetjeve në gjykatë.

“Përderisa unë deri më sot kam qëndruar i heshtur, kjo nuk do të të thotë se këto akuza qëndrojnë, por duke qenë njeri që respekton ligjin dhe institucionet, sigurisht që fjala dhe qëndrimi im do të jetë aty ku institucioni i gjyqësorit do të japë fjalën me vendimin e tij”, është shprehur Gjika.

Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika, akuzohet për falsifikim të dokumenteve dhe dhënie e lejeve të ndërtimit në vendet ku nuk është e ndaluar me ligj.

Më konkretisht bëhet fjalë për objektin që ndodhet te vendi i quajtur “Tre racat”, ndërsa objekti i dytë ndodhet brenda territorit të portit.