Lajme Shqip Monday, 21 April 2014 12:11

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika ka munguar për të tretën herë në seancën gjyqësore të zhvilluar ndaj tij dhe katër bashkëpunëtorëve të akuzuar për “falsifikim dokumentesh” për leje ndërtimi.

Gjatë zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, përveç Gjikës nuk ishin të pranishëm as 4 të pandehurit e tjerë, që siç mësohet përfaqësoheshin nga avokatët e mbrojtjes.

Ndërkohë, tre të pandehur të çështjes “Gjika” u kanë rënë akuzat pas amnistisë së bërë nga qeveria që hyri në fuqi në datën 10 prill 2014. Gjithashtu dhe tre të pandehur të tjerë janë lehtësuar nga akuzat, pasi u ka rënë ajo e ndërtimit pa leje.

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, në bashkëpunim me persona të tjerë akuzohet për falsifikim të dokumenteve të KRRT-së të institucionit që ai drejton. Më konkretisht bëhet fjalë për objektin që ndodhet te vendi i quajtur “Tre racat”, ndërsa objekti i dytë ndodhet brenda territorit të portit.

Ndërkohë, në total numri i personave në hetim nga Prokuroria e Vlorës në lidhje me dosjen “Gjika” janë shtatë persona, ku janë zhvilluar dy seanca gjyqësore në Gjykatën e Vlorës dhe më pas është marrë vendimi për të transferuar dosjen për gjykim në Tiranë.