Lajme Shqip Monday, 10 February 2014 12:36

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka deklaruar sot nga Durrësi se kriminaliteti në rang vendi ka shënuar rritje dhe situata kriminale në vend mbetet ende shqetësuese. Këto deklarata ai i ka bërë gjatë prezantimit të analizës vjetore të Prokurorisë së Durrësit. Llalla theksoi se problematikë mbeten vendimmarrjet e Gjykatës së Apelit, e cila sipas tij shumë herë ka rrëzuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë.  Duke folur në analizën e Prokurorisë së Durrësit, Llalla ka kërkuar më shumë vëmendje nga njësia taks-forcë në qarkullimin e mallrave.

“Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Apelit kanë një rol të rëndësishëm në goditjen e kriminalitetit në vend, kjo për faktin se Durrësit ndodhet në një pozicion ku qarkullojnë shumë njerëz dhe mallra përgjatë gjithë vitit. Për këtë arsye kërkohet një bashkërendim më i madh i punës nga të gjitha strukturat ligjzbatuese përfshi këtu policinë e shtetit, policinë e kufirit dhe të çdo institucioni tjetër.  Gjithashtu në këtë zonë qarkullojnë interesa të mëdha ekonomike të cilat në mjaft raste ka dyshime të arsyeshme se tentojnë të shmangen kontrolleve të ndryshme.  Kjo kërkon më tepër vëmendje nga institucionet tona sidomos nga njësia taks forcë e kësaj prokurorie”, theksoi Llalla.