Tiranë – Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, hapi sot mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë, në të cilën u diskutua kandidaturat që do t’i propozohen titullarit të institucionet për pozicionet drejtuese vakante në prokuroritë e Tiranës, Durrësit, Fierit, Shkodrës, dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Ndërkohë, brenda një kohe të shkurtër, Këshilli i Prokurorisë pritet të marrë në shqyrtim kandidaturat për drejtues të Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Vlorë dhe Kurbin.
Prokurori i Përgjithshëm, në fjalën e tij para Këshillit të Prokurorisë, theksoi rëndësinë e këtij organizmi konsultativ në ndihmesë të titullarit të institucionit dhe e vlerësoi si “një filtër rëndësishëm për të promovuar vlerat më të larta të stafit”.
Lidhur me drejtuesit e prokurorive, z. Llalla u shpreh se “kjo detyrë, për këdo që do të promovohet në pozicion drejtues, më shume se sa një sfidë e fituar, është një sfidë e pafilluar.
Ai theksoi gjithashtu se “ky është një mesazh jo vetëm për drejtuesit e rinj, por edhe për ata kolegë që janë promovuar në këto kohë; pozicionet nuk janë të hipotekuara dhe cilido prokuror, në çdo nivel, është dhe do të jetë në monitorim të vazhdueshëm për cilësinë e punës së tij”, raporton BW.
Lidhur me situatën kriminale të ditëve të fundit, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se “ka pasur disa ngjarje të rënda, kryesisht të krimit brenda familjes. Këto raste, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë hetuar në mënyrë të menjëhershme dhe ndaj personave të dyshuar është vendosur masa e sigurisë me burg. Do të kërkoj nga të gjithë prokurorët që të vijojnë të ndjekin një politikë të ashpër penale për këdo që cënon rendin dhe sigurinë publike”.
Friday, 19 July 2013 14:50