Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka raportuar në Komisionin e Ligjeve në Kuvend për punën e këtij institucioni në vitin 2013. Sipas Llallës aktiviteti i institucionit është rritur ndjeshëm në vitin 2013, krahasuar me vitet e mëparshme dhe për gjithçka ai i është referuar analizës dhe shifrave. Kryeprokurori thotë se “gjatë vitit 2013, aktiviteti i prokurorisë është mbështetur në katër prioritetet kryesore: lufta kundër korrupsionit; kundër krimit të organizuar; mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të njeriut si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale.”
Llalla ka theksuar faktin se procedimet penale janë rritur ndjeshëm, 12% më shumë se vitin 2012 duke arritur në 54%, ndërsa për sa i përket trafikut të lëndëve narkotike, ai ka nënvizuar faktin se sasitë më të mëdha të saj janë kapur në pikat kufitare.
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT
Në vitin 2013 ka një rritje prej 22 % të numrit të procedimeve penale të regjistruara për vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik në krahasim me vitin 2012.
Në lidhje me të pandehurit, për grup vepra penale kundër korrupsionit, vihet re një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar prej 18.5% krahasuar me një vit më parë. Është konstatuar një ulje e numrit të pandehurve, të cilët i janë dërguar gjyqit prej 13 %. Por, ndërkohë, ka rritje të numrit të pandehurve të dënuar nga gjykata me 67% përkundrejt vitit 2012.
BASHKËPUNIMI ME RENDIN DHE SHISH-IN
Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror është hartuar një platformë e përbashkët për realizimin e hetimeve proaktive në kuadër të hetimeve kundër korrupsionit. Kjo strategji e përbashkët ka dhënë rezultate pozitive.
Së pari, duke filluar nga viti 2013, Këshilli i Prokurorisë ka nisur procesin e vlerësimit të performancës së prokurorëve. Ky proces zhvillohet për herë të parë dhe do të vijojë të jetë periodik çdo vit.
Së dyti, janë krijuar kushtet që, gjatë procesit të rekrutimit, emërimit, transferimit dhe shkarkimit të prokurorëve, Këshilli i Prokurorisë, krahas shqyrtimit të anës dokumentare, do të ketë mundësi të marrë edhe opinionin verbal të kandidatëve apo të prokurorëve të propozuar për masa disiplinore
LUFTA KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR
Gjatë vitit 2013, konstatohet një rritje e ndjeshme e procedimeve penale të dërguara për gjykim, krahasuar me vitin 2012. Para gjykatës janë dërguar rreth 68% procedime më shumë. Po ashtu, rritje me 54% ka edhe për sa i përket numrit të pandehurve të dërguar për gjykim, krahasuar me vitin 2012.
Në grupe-veprat penale të krimit të organizuar, vendin kryesor e kanë procedimet penale për trafikun e lëndëve narkotike. Konstatohet rritje e ndjeshme e referimeve për këtë vepër penale, kjo falë edhe rritjes së numrit të arrestimeve të kryera në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Policisë së Shtetit.
LENDA NARKOTIKE, PJESA ME E MADHE BLLOKOHET NE KUFI
Konstatohet se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të sasive me lëndë narkotike të sekuestruara gjatë vitit 2013, pjesa më e madhe është bllokuar në flagrancë në pikat e kalimit kufitar.
TRAFIKU NJEREZOT, NË TË NJEJTA VLERA ME 2012-ËN
Gjatë vitit 2013, numri i procedimeve për trafik të qenieve njerëzore ka qenë thuajse në të njëjtat vlera me vitin 2012.
PRITET NJE PROJEKT I RI PËR TË NDALUR “PASTRIMIN” E PARAVE
Hetimi për veprën penale të “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka vijuar të jetë një prioritet i punës së prokurorisë edhe gjatë vitit 2013. Vlen për t’u theksuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave, është duke u punuar për mundësinë e përftimit të një projekti të ri me objekt “Përmirësimin e luftës kundër Parandalimit të Pastrimit të Parave në Shqipëri”.
Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2013 konstatohet shtimi i rasteve të bashkëpunimit të institucioneve shqiptare me strukturat homologe të vendeve fqinje, të anëtarëve të Bashkimit Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rezultatet pozitive kanë ndikuar në forcimin e imazhit të institucioneve shqiptare, duke shtuar në këtë mënyrë shkëmbimin e informacionit për shtetas shqiptarë ose të huaj, të përfshirë në trafiqe të paligjshme.
Gjatë vitit 2013 janë realizuar disa operacione të rëndësishme ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe strukturave homologe, në goditjen e organizatave kriminale, në përbërje të të cilave ka pasur edhe shtetas shqiptarë që vepronin në Shqipëri dhe në disa vende evropiane.
Gjithashtu, një ndikim pozitiv në punën e Prokurorisë ka patur edhe Projekti Rajonal IPA 2010 “Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Forcimi i Rrjetit të Prokurorëve”. Për forcimin e luftës kundër trafikut ndërkombëtar do të ndihmojë edhe projekti PAMECA IV.
Wednesday, 23 April 2014 19:14