Ditën e sotme në vendin tonë ka mbërritur kryeministri kroat, Zoran Milanoviç, i cili do të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Tiranë, ku do të ketë takime me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar.
Milanoviç u takua fillimisht me kryeministrin Edi Rama, i cili organizoi një ceremoni në hyrje të kryeministrisë. Takimi mes dy homologëve nisi rreth orës 10.00 në Kryeministri, dhe në përfundimin e tij të dy kryeministrat mbajtën një konferencë e përbashkët për mediat.
Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se, integrimi i Kroacisë në BE ishte një moment i rëndësishëm. Kryeministri u shpreh se, Kroacia është një histori suksesi jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin. “Shqipërinë dhe Kroacinë e lidh një miqësi që ndërthuret me lidhje historike dhe një perspektivë të përbashkët evropiane. Kroacia është për ne një model suksesi, një shembull frymëzues dhe një partner që na inkurajon në rrugën drejt BE-së. Kroacia është një histori suksesi, jo vetëm për rajonin, por edhe padyshim edhe për ne. Ne besojmë që anëtarësimi i Kroacisë në BE dhe paralelisht edhe marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, janë dy ngjarje të mëdha në funksion të një fryme të re në rajon. Ne dëshirojmë shumë forcimin e bashkëpunimit me Kroacinë në të gjitha planet dhe jam shumë i kënaqur që lexojmë një vullnet të qartë për të shkuar më tutje dhe për të thelluar këtë bashkëpunim. Sigurisht që ne e konsiderojmë edhe pjesëmarrjen e përbashkët në projektin shumë të rëndësishëm të TAP-it, si një nismë me potenciale të larta në zhvillimin energjetik, por edhe në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë”, tha Rama.
Ndërsa kryeministri kroat gjatë fjalës së tij tha se, do të mbështesë integrimin e Shqipërisë ashtu siç mbështetën Serbinë. Sipas kryeministrit kroat, zëri i Kroacisë në BE do të jetë në favor të Shqipërisë, si për marrjen statusit kandidat, ashtu edhe për fillimin e negociatave.
Kryeministri Milanoviç gjatë fjalës së tij vlerësoi minoritetin shqiptar në Kroaci, duke theksuar se shqiptarët kanë dëshmuar se janë një popull punëtor dhe i suksesshëm. Sipas kryeministrit kroat, hapësira për bashkëpunim mes dy vendeve është shumë e madhe. “Mallrat shqiptare të hyjnë në tregun kroat, ky është interesi ynë. Shpresoj që herën tjetër të shihemi në Zagreb”,- përfundoi zoti Milanoviç
Kryeministri kroat me pas do të takohet me presidentin Bujar Nishani dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha. Shqipëria dhe Kroacia janë në marrëdhënie diplomatike prej më shumë se 20 vjetësh dhe po ashtu në vitin 2009 janë bashkuar në NATO.
Shqipëria shpreson të marrë statusin e vendit kandidat për në BE dhe pret edhe mbështetjen e Kroacisë, ndërsa lidhja mes dy vendeve konsiderohet model për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin në gjithë rajonin e Ballkanit.
Monday, 20 January 2014 12:59