Lajme Shqip Thursday, 09 January 2014 15:07

Ministri i Çështjeve Evropiane të Irlandës, Paschal Donohoe, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, shprehu mbështetjen e shtetit të tij për vendin tonë. 

 Donohoe gjithashtu vlerësoi ecurinë pozitive të reformave në Shqipëri dhe masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërsa ministri Bushati shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.  Bushati e falënderoi edhe ministrin e Jashtëm irlandez,  Gilmore, i cili  nënshkroi letrën e 8 ministrave të Jashtëm, në mbështetje të dhënies së statusit të vendit kandidat Shqipërisë në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan shekulli.

Gjithashtu, ministri Bushati theksoi se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë mbetet prioriteti kyç i qeverisë shqiptare. Ai e siguroi ministrin Donohoe për angazhimin maksimal në vijimin e zbatimit të reformave, duke shprehur besimin në marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit shprehën vlerësime për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe në kuadrin e thellimit të bashkëpunimit u ra dakord për gjetjen e rrugëve për dhënien e asistencës teknike të Irlandës, lidhur me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rajonin dhe në këtë kuadër u vlerësua politika konstruktive e Shqipërisë.