Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 19:28

Tiranë- Shpëtim Gjika shkon para Gjykatës së Vlorës, për herë të parë në cilësinë e të pandehurit. rrethuar nga mbrojtësit e tij, kryebashkiaku i Vlorës është shoqëruar edhe nga simpatizantët që e kanë mbështetur gjatë gjithë këtyre ditëve. I zgjedhuri i tyre është përballur me akuzat e ngritura nga prokuroria për falsifikimin e lejeve të ndërtimit për dy pallate. Në sallën e gjyqit, nga lista e të pandehurve është paraqitur vetëm Kryetari Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, pasi pjesa tjetër janë përfaqësuar vetëm nga avokatët mbrojtës të tyre.  Gjika në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas ngritjes së akuzave bëri me dije se do të fliste vetëm para gjykatës për të gjitha akuzat që iu publikuan dhe vetëm aty do të provonte të kundërtën e tyre. Mirëpo në seancë mungoi njëri nga të pandehurit, për të cilin ishte depozituar një raport mjekësor. Në këto kushte gjyqtarët vendosën të shtyhej seanca për në datën 5 dhjetor 2013. Prokuroria e Vlorës e akuzon Gjikën se, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë që datojnë marsin dhe korrikun e vitit 2010. 

 

Hetimet  

 

Hetimet ndaj kryebashkiakut të Vlorës kanë nisur që në shkurt të këtij viti, për t’u finalizuar me marrjen e tij dhe disa personave të tjerë si të pandehur. Sipas organit të akuzës, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera lidhur me këtë çështje penale, është arritur në përfundimin se Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë, konkretisht të datave 24.03.2010 dhe të datës 15.07.2010. Në dosjen e prokurorisë  theksohet se Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, ka lëshuar vendimet e datës 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010, që janë dokumente të cilat kanë në përmbajtjen e tyre rrethana të rreme, pasi dy sheshet e ndërtimit dhe dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë marrë në shqyrtim dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë. Prokuroria saktësoi se këtë fakt e kanë dëshmuar vartësit e Gjikës gjatë procesit hetimor disamujor. Kështu, procesverbali i mbledhjes së KRRT-së së datës 15.07.2010, si dhe vendimi i lëshuar nga Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së më 15 korrik 2010, bën fjalë për miratimin në lagjen “29 Nëntori”, të sheshit të ndërtimit dhe të lejes së ndërtimit për kompleks banimi dhe shërbimi 13 kate, me parkim nëntokë, me pronarë të truallit të pandehurit Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati, Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj. Vendi për të cilin është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Racat”. Ndërsa procesverbali dhe vendimi i marsit të po atij viti kanë lejuar ngritjen e ndërtimit në lagjen Pavarësia, me pronar Gëzim Fetën, i cili gjendet në listën e të pandehurve. 

 

Akuzat dhe të  pandehurit 

 

Prokuroria pretendon se e ka të faktuar se këto dokumente me rrethana të rreme janë përdorur nga të pandehurit Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, ndërsa të pandehurit Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj, Artan Ferati, si dhe i pandehuri Gëzim Feta, kanë bashkëpunuar me të pandehurit Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, sipas episodeve përkatëse. Së bashkua ata kanë kryer ndërtimin e objekteve në mënyrë të paligjshme, duke ditur që nuk kanë marrë në formën e parashikuar nga ligji ndonjë vendim nga organet kompetente për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit si dhe vendim për miratimin e lejes së ndërtimit. Lidhur me rrethanat e theksuara, të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga personi që e ka për detyrë, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë. Të pandehurit Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, janë akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ndërtimi i paligjshëm”, të kryera në bashkëpunim. Ndërsa, të pandehurit Mustafa Tartari, Artan Ferati dhe Aleks Ahmataj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, të kryer në bashkëpunim./shekulli/