Prishtinë – Konsumatorët e pakënaqur të KEK-ut do të protestojnë sërish. Ata do të mblidhen nesër, më 25 shkurt, meqë sipas organizatorëve janë të irrituar me mosreagimin institucional ndaj hajnive të dukshme në faturimin e energjisë elektrike në muajin janar.
Protesta pritet të mbahet në vendin e njëjtë, para ndërtesës qendrore të kësaj korporate, duke filluar nga ora 12:00. Thirrja për protestë është bërë përmes rrjetit social Facebook. E organizatorët e protestës e quajnë veten “konsumatorët e organizuar të Korporatës Energjetike të Kosovës”. Po ashtu në thirrjen për protestë thuhet se deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi asnjë zyrtar i KEK-ut për keqtrajtim të konsumatorëve. Gjithashtu, ata e kanë arsyetuar protestën me mungesën e ndëshkimeve siç thonë ata “për këtë tentim hajnie të kapur në flagrance”.
”Me shpërfilljen institucionale për rishikimin e politikave tarifore të energjisë elektrike që rezultuan me faturat më të shtrenjta në rajon për konsumatorët kosovarë… Me shpërfilljen e premtimit të dhënë publikisht nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, drejtori i KEK-ut dhe ZRRE-ja, që konsumatorët nuk do të penalizohen bazuar në faturat të janarit… Me aksionin e fundit të KEK-ut për shkyçjen e konsumatorëve të shumtë”, këto kanë qenë edhe disa arsye për organizim të protestës.
Me anë të këtyre protestave ata do të kërkojnë hetime dhe dorëheqjen e të gjithë përgjegjësve të KEK-ut.
“Hetimi, konstatimi dhe përmirësimi i të gjitha faturave të muajit janar, të lëshuara nga Korporata Elektroenergjetike e Kosovës. Dorëheqjen e gjithë zinxhirit menaxherial, që me pjesëmarrje aktive ose me neglizhence i ka kontribuar kësaj tentative për hajni. Fillimin e hetimeve nga prokuroria për të gjithë personat që aktivisht i kanë kontribuar këtij skandali”, kanë qenë disa nga kërkesat e protestueseve.
Ata, po ashtu do të kërkojnë rishqyrtimin e politikave tarifore të ZRRE-së dhe KEK-ut, që do të rezultojnë me fatura të energjisë elektrike që janë konform standardit të qytetarëve të Kosovës.
“Ngrirja e faturave të janarit dhe stopimin e aksionit të shkyçjeve bazuar në këto fatura deri në adresimin e plotë të shqetësimeve tona”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media, nga grupi i organizatorëve të protestave.
Konsumatorët i kanë bërë thirrje Policisë së Kosovës që të mos asistojnë KEK-un në fushatën e shkyçjeve.
“Duke qenë të bindur se aksioni i shkyçjeve paraqet këmbëngulje të Korporatës për ta çuar përpara hajninë e filluar dhe duke qenë të bindur në drejtësinë e kërkesave tona, ne u bëjmë thirrje qytetarëve që deri në përmbushjen e këtyre kërkesave në mënyrë të organizuar, por të padhunshme të pengojnë shkyçjen e konsumatorëve të KEK-ut përmes protestave të hënën”, thuhet në thirrjen për protestë.
Njëri nga organizatorët e protestës, duke mos dashur që t’i ceket emri, ka thënë se protestat nuk do të ndalen deri në plotësimin e të gjithë kërkesave të qytetarëve.
“KEK-u na ka rrejt kur ka thënë se nuk do të ketë shkyçje, pasi ato tashmë kanë filluar pasi ashtu është vendosur, prandaj do të protestojmë”, ka thënë ai.(LajmeShqip.com)
Sunday, 24 February 2013 16:22