Prishtinë – Protestat para Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), s’kanë të ndalur. Pas konsumatorëve, nga e marta për tri ditë me radhë, do të protestojnë dhe punëtorët e KEK-ut. Arsye për këtë protestë është mosplotësimi dhe mospërgjigja e menaxhmentit të KEK-ut ndaj kërkesave për rritje pagash dhe kërkesave tjera për punëtorët e KEK-ut. Kërkesat drejtuar menaxhmentit të KEK-ut për ngritje të pagave prej 140 euro për të punësuarit në këtë sektor, nuk kanë marrë asnjë përgjigjej deri tani nga KEK-u.
Izet Mustafa, kryetar i Sindikatës së Pavarur Energjetike të Kosovës (SPEK), për Kosovapress ka thënë se ata i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e parapara me ligj dhe kanë provuar që me kohë këtë çështje ta trajtojnë, për të mos ardhur deri te komplikimi i situatës por që, për fat të keq, kërkesat e tyre të cilat janë bërë që nga shtatori i viti 2012, siç thotë ai, nuk janë përfillur dhe se ata nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare.
“Për fat të keq menaxhmenti i KEK-ut, nuk e ka pa të arsyeshme që të merret me këtë çështje dhe pse kemi tentuar disa herë në takime me drejtorin menaxhues të KEK-ut dhe bashkëpunëtoret e tij, që këtë çështje ta ngrisim dhe të marrim përgjigje prej tyre. Për fat të keq ajo nuk ka ndodhur. Sindikata ka qenë e obliguar që në pajtim me statutin dhe ligjin e punës dhe atë për organizim sindikal në Kosovë, të ndërmarr hapin në vijim, që është prova që ta sensibilizojmë menaxhmentin dhe institucionin e vendit, që të merren me kërkesën e punëtorëve të KEK-ut. Kjo do të ndodh nesër me fillim nga ora 12:00 deri në 13:00 dhe do të vazhdojë dhe për dy ditë tjera në vijim. Do të jenë gjithsej tri ditë që do të protestojnë punëtorët e KEK-ut, me qëllim sensibilizimin dhe obligimin e menaxhmenti të KEK-ut, që të merret me çështjen e punëtorëve. Nuk është vetëm çështja e ngritjes së pagave. Ne kemi edhe çështjen e ushqimit për punëtorët tonë, atë të përfaqësimit të interesave të punëtorëve në vendimmarrje dhe problemet që kanë të bëjnë me sigurinë në punë, me problemet e marrëveshjes së re kolektive, të cilën, për fat të keq, nuk kemi arritur ta nënshkruajmë”, ka thënë ai.
Por në rast se edhe protestat nuk do të kryejnë punë dhe nuk do të ndikojnë në plotësimin e kërkesave të punëtorëve, atëherë ata paralajmërojnë dhe masa tjera më radikale e që janë grevat. Mustafa ka thënë se nuk përjashtohet as mundësia e grevave, në rast të mos realizimit të kërkesave të tyre.
“Ne e dimë ligjin mbi grevat. Normal që nëse nuk jep rezultat kjo formë e protestimit të punëtorëve te menaxhmenti i KEK-ut dhe institucionet e vendit, ne, në pajtim me ligjin mbi organizimin e grevave në vend, do të formojmë këshillin grevist, do të paralajmërojmë kërkesat tona, do t’ia bëjmë afatin kohor institucioneve dhe menaxhmentit të KEK-ut të duhur dhe të mjaftueshëm, që me u zbatu në bazë të ligjit. Dhe sigurisht ne do të vazhdojmë dhe hap tjetër, përveç grevës, nuk na mbetet”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket gjendjes së krijuar së fundi me protestat e konsumatorëve, për fryerje të faturave nga ana e KEK-ut, gjë që ka revoltuar qytetarët e këtij vendi, të cilët nuk ngurruan që këtë ta quajnë dhe plaçkë nga ana e kësaj korporate, Mustafa ka pohuar se këto gjëra duhet të shqyrtohen dhe të bëhet së shpejti vlerësimi i kësaj situate, sepse mund të ndodhin gabime, por se kjo, sipas tij, nuk është vjedhje dhe as plaçkitje nga ana e KEK-ut.
“Unë nuk do ta quaja vjedhje apo plaçkitje. Ne e dimë që në çdo vend ku punohet dhe mund të gabohet. Vlerësimi im personal dhe institucionit që përfaqësoj, është se mund të ketë gabime dhe nuk ka dyshim që kanë ndodhur gabime. Por apeli im ndaj konsumatorëve dhe punëtorëve është që shqetësimet e tyre t’i paraqesin përmes formës së shkruar, tek departamenti për kujdesin ndaj konsumatorëve. Unë jam i bindur që të gjitha gabimet do të rivlerësohen dhe do të evitohen. Me rëndësi është që konsumatorët të mos krijojnë averzion ndaj pagesës, obligimeve që i kanë ndaj kompanisë. Kjo do të ndikojë shumë keq, negativisht dhe në bilancin e inkasimit vjetor dhe mujor dhe faktikisht është një rrezik që ky trend i mirë i përmirësimit të inkasimit të pagesave të konsumatorëve ndaj KEK-ut të marr kahje negative”, ka thënë ai.
Mustafa ka pohuar se e kupon shqetësimin e konsumatorëve dhe se protesta e tyre i ka sensibilizuar institucionet e vendit. Ndërsa i pyetur se a po synojnë dhe ata që përmes protestës së tyre të sensibilizojnë menaxhmentin e KEK-ut, ashtu siç sensibilizoi protesta e konsumatorëve, ai ka thënë se nuk do të donte që këto veprime të ndërlidhen, pasi që s’kanë lidhje me njëra tjetrën. Megjithatë, ai shtuar se protesta e paraparë është një aktivitet shtesë, që menaxhmenti i KEK-ut por dhe institucionet e tjera të vendit në këtë rast dhe Qeveria, MZHE dhe ZRRE, të jenë shumë më të vëmendshëm, se çfarë vendime do të marrin, pasi që ZRRE tani më është në fazën e debatit, rreth tarifave të reja për periudhën katër vjeçare.
Protestat e paralajmëruar nga SPEK-u, e të cilat do të mbahen që nga e marta tri ditë me radhë duke filluar nga ora 12:00 deri në orën 13:00, para vendeve të punës, janë si rezultat i mospërgjigjes në kërkesat që SPEK i ka dorëzuar në adresë të meanxhmentit të KEK-ut. Punëtorët e kësaj korporate synojnë që përmes protestave të sensibilizojnë këtë çështje, apo gjejnë mundësi për plotësimin e kërkesave të tyre.(K.P/LajmeShqip.com)
Monday, 11 February 2013 17:00