Prishtinë – Reagimet e fundit institucionale janë të pamjaftueshme dhe nuk i adresojnë të gjitha pikat e ngritura gjatë protestave të 7 dhe 8 shkurtit, thuhet në një kumtesë të Grupit Organizativ të Qytetarëve, i cili ka dhënë ultimatum deri të mërkurën (duke e shtyrë protestën e të hënës) që pikat e kërkuara të plotësohen në tërësi.
Grupi Organizativ i Qytetarëve protestues përmes një kumtese ka bërë publike kërkesat e tyre ndaj KEK-ut.
Kërkohet që të shpallet vendimi për mos ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike;
Të jepet vendim i prerë për tërheqjen dhe rishikimin e të gjitha faturave të janarit;
Të mos shkëputet nga rrjeti i energjisë elektrike asnjë konsumator që nuk e ka paguar faturën e muajit janar;
Të krijohet komision parlamentar që krahas Prokurorisë dhe Policisë të Kosovës të nisë edhe një hetim parlamentar në lidhje me keqpërdorimet, duke siguruar që mos të ketë keqpërdorime të tjera gjatë hetimeve të nisura.
Në rast të mos plotësimit të këtyre pikave, protestat do të vazhdojnë. Datat për vazhdimin e protestave në koordinim me qytetarët do të shpallen të mërkurën në një konferencë për shtyp. Përmes mjeteve të informimit do të njoftoheni për orën dhe vendin e saktë, thuhet në kumtesën e Grupit Organizativ të Qytetarëve.(K.N/LajmeShqip.com)
Sunday, 10 February 2013 14:39