Një shpërthim ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në një pallat te Komuna e Parisit. Policia bën të ditur se një sasi tritoli ka shpërthyer në katin e katërt të një pallati në rrugën ‘Muhamet Butka’. Mësohet se, një sasi prej 200 gramë lëndë eksploziv është vendosur në derën e banesës së biznesmenit Petrika Bardhi. Deri më tani në polici janë shoqëruar 7 persona, ndërsa dyshohet se shkak i vendosjes së lëndës plasëse të jenë konfliktet për biznesin, raporton shekulli.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor shkuan në vendngjarje menjëherë pas njoftimit, ndërkohë, po punohet për identifikimin e autorëve të shpërthimit. Fatmirësisht nga ngjarja janë shënuar vetëm dëme materiale, ku më së shumti janë dëmtuar fasadat e xhamit të banesës në katin e tretë të pallatit, si dhe dera hyrëse.
Biznesmeni është marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt apo dyshim konkret çka mund të lidhë shpërthimin me autorin, por blutë e kryeqytetit kanë shoqëruar 7 persona, ku dyshohen se kanë probleme në raport biznesi me Petrika Bardhin.
Saturday, 22 March 2014 13:28