Policia ka konfirmuar se shpërthimi në lokalin e biznesmenit Ceka është kryer me eksploziv. Shpërthimi ka ndodhur pikërisht në momentin kur Armando Ceka (pronar i lokalit), së bashku me Julian Çelën dhe Artur Sharrën (punonjës të lokalit) po hapnin derën e lokalit për t’u futur brenda. Për pasojë të tre personat e lartpërmendur mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës.
Mjekët e spitalit bëjnë me dije se Armando Ceka ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka humbur shumë gjak si pasojë e plagëve të marra. Po ashtu situata paraqitet e rëndë edhe për 28-vjeçarin Çela, i cili ka marrë dëmtime të rënda në njërën këmbë, dhe rrezikon ta humbasë atë. I plagosuri tjetër, Artur Sharra ka marrë vetëm disa plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
10:00-Shpërthim në lokalin e biznesmenit Ceka, plagoset pronari së bashku me 2 punonjës
Një shpërthim është dëgjuar mëngjesin e sotëm, në rrugën “Pjetër Budi”, në Tiranë. Shpërthimi ka ndodhur pranë Institutit të Higjienës, brenda një lokali që ndodhej aty pranë, ku janë plagosur tre persona, mes tyre edhe pronari i lokalit. Të plagosurit janë identifikuar si shtetasit: Julian Çela 28 vjeç, Artur Sharra 46 vjeç dhe Armando Ceka 33 vjeç. Ky i fundit është pronari i lokalit ku ndodhi shpërthimi.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, nga ku mësohet se Ceka dhe Julian Çela ndodhen në gjendje më të rëndë. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që mendohet se shpërthimi mund të jetë bërë me eksploziv.
Ky është atentati i dytë që i bëhet biznesmenit Ceka, pas atij të shtatorit të vitit 2013, kur në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, Armando Cekës iu vendos eksploziv në bagazhin e makinës së tij, tip “Volvo”. Nga shpërthimi u dëmtua vetëm makina, ndërsa biznesmeni Ceka nuk pati lëndime.
Në atë kohë policia hetoi mbi shpërthimin, duke ngritur si pistë kryesore mosmarrëveshjet që biznesmeni kishte me banorët e një pallati të ndërtuar prej tij, në rrugën “Don Bosko”, në kryeqytet.
Wednesday, 26 February 2014 14:33