Policia greke ka arrestuar edhe të burgosurin e fundit, Reiz Haxhirajn, i cili ishte arratisur nga burgu i Drenovës. Reiz Haxhiraj u kap pak minuta më parë në Kostur të Greqisë. Më herrët policia greke lajmëroi se kishte arrestuar Eduard Lulon. Policia e shtetit fqinj bën të ditur se, Lulo nuk ka qenë i armatosur në momentin kur u arrestua.
Dje policia helene bëri të ditur se kishte lokalizuar tre të arratisurit në disa stane në tokën greke, ndërsa ka bërë dhe arrestimin edhe të njërit prej tyre, përkatësisht të Gëzim Tomës. Toma u arrestua në fshatin grek pranë kufirit me Shqipërinë, Elaptora. Ai ishte së bashku me dy të arratisurit e tjerë, të cilët kanë mundur t’i shpëtojnë policisë helene.
Gjatë natës kanë vijuar kërkimet për Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulon, të cilët sipas policisë greke dyshohet të ishin armatosur, pasi Tomës në momentin e ndalimit i është sekuestruar një armë automatik. Kërkimet për të po vijojnë në malet e Kosturit.
Por, nga ana tjetër policia shqiptare dyshonte se, Haxhiraj kishe hyrë sërish në territorin shqiptar dhe fshihet në fshatin Arëz të Korçës.
Të shtunën 7 të dënuar u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, pasi kërcënuan me jetë gardianët. Ndërkohë, nga aksioni për kapjen e tyre policia ka mundur të arrestojë katër nga të arratisurit, mes të cilëve edhe organizatorin e arratisjes Admir Tafilin, për të cilët vetëm një ditë më parë u dha dhe masa e sigurisë burg pa afat nga gjykata e Korçës.
Detaje nga operacioni i policisë greke
Policia greke zbardh detaje të reja rreth operacionit policor që bëri të mundur arrestimin e dy prej të arratisurve të Drenovës, operacion i cili duket se nuk ka qenë rastësor. Policia greke bën me dije se të arratisurit ishin pikasur dy ditë më parë përmes kamerave termike.
Pas kësaj ata kishin ngritur postbllok në Gramo të Kosturit, ndërkohë që vetëm gjatë ditës së djeshme dhe të sotme janë vënë në veprim.
Gjatë aksionit të djeshëm ku u arrestua Gëzim Toma, pikërisht midis fshatit Pefkofto dhe Krisi, 35 km larg kufirit, ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe tre të arratisurve, ku dyshohet se njëri prej dy të dënuarve që mundën t’i shpëtojnë arrestimit të jetë plagosur gjatë përleshjeve. Por sot policia bën të ditur se Eduard Lulo është aratuar i paarmatosur.
Rama: Policia po kthehet në krye të detyrës
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama për kapjen e të shtatë të burgosurve, të cilët u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë. Rama ka përgëzuar ministrin Tahiri edhe Policinë e Shtetit, duke shtuar se, “policia po kthehet në krye të detyrës”.
“U krye!Përgëzime Saimir Tahirit e Policisë së Shtetit që në më pak se 7 ditë rikthyen prapa hekurave të 7 kriminelët e arratisur nga burgu. Faleminderit çdo polici të përfshirë në këtë operacion special e posaçërisht forcave të RENEA-s! Policia jonë po kthehet në krye të detyrës. I shkëlqyer dhe bashkërendimi ditë-natë me policinë greke për 3 të arratisurit e fundit. Është veç fillimi i mbarë drejt fitores mbi krimin”, shkruan Rama në FB./shekulli/
Thursday, 28 November 2013 12:02