Lajme Shqip Tuesday, 26 November 2013 00:00

Tiranë- Policia vijon aksionin për kapjen e tre të arratisurve të fundit nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë. Policia ka vazhduar pa ndërprerje kërkimet për Eduard Lulon, Reiz Haxhirajn dhe Gëzim Tomon.

Ndërsa kërkimet për të arratisurin e tretë Gezom Tomon janë përqendruar në zonën e Përrenjasit. Sipas policisë dyshohet se Tomo ndodhet ende në këtë zonë. Një ditë më parë në një magazinë të braktisur në Prenjas u arrestuan edhe tre të arratisur të tjerë të Burgut të Drenovës.

Sipas informacioneve të fundit, kërkimet për Haxhirajn dhe Lulon vazhdojnë të jetë të përqendruara në zonën përreth malit të Gramozit dhe në kufirin me Greqinë. Sipas policisë dyshohet se këta dy të arratisur fshihen në pyjet e malit Gramoz. Ndërkohë nga policia kufitare kërkimet po zhvillohen me kamera termike. Policia e Korçës ka bërë të ditur se, ka gjetur në fshatin Dardhë gjurmë, të tre të arratisurve nga burgu i Drenovës. Burime nga policia bëjnë të ditur se, efektivë të policisë dhe forcat RENEA, po kontrollojnë të gjithë zonën dhe banesat në fshatin Dardhë.

Arratisja e 7 të burgosurve nga burgu i Drenovës ka ngritur policinë dhe shtetin më këmbë, ndërsa konsiderohet skandaloze që në një burg të sigurisë së lartë të futen armë zjarri. Grupi hetimor ka zbardhur të tjera detaje të arratisjes, dhe mënyrën se si ata janë ndihmuar nga jashtë nga 3 bashkëpunëtorë, të cilët kanë rënë në prangat e policisë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se tre të arrestuarit si bashkëpunëtorë kanë pohuar se prej muajsh jetonin në Korçë, ku kishin marrë një shtëpi me qira, në përpjekje të hartimit të planit të arratisjes. Dy bashkëpunëtorët Olsi Maçi dhe Albi Macini kanë prerë me gërshërë telat rrethuese të burgut, ndërsa kanë mbuluar me të shtëna të dënuarit, teksa ata largoheshin nga ambientet e burgut. Sipas grupit hetimor, të rinjtë kanë qëlluar me armë kullave të vrojtimit, fatmirësisht pa lënduar rojet.

Pas sinjalizimit të banorëve të zonës, të cilët kishin dëgjuar të shtëna me armë në brendësi të magazinës, policia dhe forcat RENEA rrethuan zonën, duke bërë të mundur arrestimin e të dënuarve Admir Tafili, Gezim Guri dhe Fran Marashi.