Lajme Shqip Wednesday, 19 June 2013 16:56

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka lëshuar një reagim rreth dorëheqjes së Lulzim Pecit, Zyrtar Ndërlidhës i Kosovës në Serbi, i cili mori detyrën e tij dy ditë më parë.

Sipas MPJ-së, “është pritur që ai të kryejë detyrën që kërkohet me profesionalizëm e moral të lartë”. Më tutje në reagim, thuhet se “i kemi kuptuar lëshimet e tij për disa vite si ish-ambasador në Suedi, por veprimet e tij në raport me përfaqësimin në Serbi, kanë ndikim të madh në zhvillimin politik të raporteve në mes të dy shteteve, popujve tanë dhe më gjerë”.

Reagimi i plotë i MPJ-së:  

Dorëheqja është akt personal i secilit individ, edhe i ish- ambasadorit Peci.

Ai është emëruar zyrtar ndërlidhës në Beograd si përfaqësues i Republikës së Kosovës me propozim të MPJ-së dhe kryeministrit Thaçi.

Prandaj, është pritur që ai të kryejë detyrën që kërkohet me profesionalizëm, moral të lartë, përgjegjësi, dinjitet shtetëror dhe nacional, prezantim të plotë të qëndrimeve shtetërore dhe në rastin konkret guxim qytetar, që në momente të caktuara i kanë munguar.

I kemi kuptuar lëshimet e tij për disa vite si ish-ambasador në Suedi, por veprimet e tij në raport me përfaqësimin në Serbi, kanë ndikim të madh në zhvillimin politik të raporteve në mes të dy shteteve, popujve tanë dhe më gjerë.

Qëndrimi i tij njëditor dhe kthimi i menjëhershëm në Prishtinë, adresimi në konferencë për medie në gjuhën e vendit ku ka shkuar dhe jo vendit që përfaqëson, takimet e paautorizuara me përfaqësues të shtetit të Serbisë dhe pretendimi i tij për qëndrime politike personale kanë tejkaluar kompetencat, si dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me sjelljen e tij e që lidhen me sigurinë shtetërore, të cilat ende nuk janë për opinion publik, nuk kanë paraqitur përfaqësuesin e denjë të Republikës së Kosovës.

Z. Peci ka qenë i propozuar për shkarkim dhe këtë ai e ka pasur të qartë, andaj edhe dorëheqja është hap i paraprirë prej tij.

 

Valdet Sadiku zëvendëson Pecin? 

 

Prishtinë – (E plotësuar)  Ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Valdet Sadiku është propozuar nga Kryeministri dhe Ministria e Punëve të Jashtme për postin e Zyrtarit Ndërlidhës të Kosovës në Beograd, kanë thënë për Express burime brenda Kryeministrisë.

Vendimi vjen vetëm disa çaste pasi që Lulzim Peci dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Emri i Valdet Sadikut do të shkojë nesër në mëngjes te Presidentja Jahjaga për dekretim. 

 

Peci do të shkarkohej, u takua me inteligjencën serbe?

 

Menjëherë pas daljes së lajmit se Lulzim Peci ka dhënë dorëheqje nga posti i Zyrtarit Ndërlidhës të Kosovës në Beograd, një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës ka treguar arsyet të vërteta të këtij akti të Pecit.

“Ambasadori Peci është kritikuar rreptë dhe është qortuar me masa paralajmëruese për shkarkim që pritej të ndodhte shpejt, për shkak të “takimeve të tij sekrete” me pjesëtarët e shërbimit të inteligjencës së Serbisë. Takime dhe biseda këto që bien ndesh me politikat dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka thënë për Gazetën Express zyrtari i lartë qeveritar. 

 

Pas dy ditësh në “mision”, jep dorëheqje Peci 

 

Prishtinë – Ka dhënë dorëheqje nga të parevokueshme nga Shërbimi Diplomatik i Republikës së Kosovës në Beograd Lulzim Peci.

Në letër-dorëheqjen që ia ka dërguar presidentes Jahjaga ai thotë se arsye e dorëheqjes së tij është mospajtimi dhe kritika që i është bërë nga  kryeministri  Hashim Thaçi, në lidhje me deklaratën  në media se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur kjo e fundit do të njeh pavarësinë e vendit tonë, transmeton KTV.

 “ Kam qenë i bindur se politika shtetërore e vendit tone në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Beogradin ka qenë pikërisht njohja nga Republika e Serbisë, por si po duket kjo politikë nuk është e tillë. Prandaj, në rrethana të tilla nuk pranoj të vazhdoj punën time brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës” shkruan Peci.  Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi të hënën kishte qëndruar në Beograd për të nis zyrtarisht punën në misionin e posaçëm diplomatik të Kosovës në Serbi. Ai kishte deklaruar se është i vetëdijshëm për të gjitha por ishte shprehur i gatshëm për të punuar.