Kosova është njohur sot nga Mbretëria e Lesotos. Vendimi për njohjen e Kosovës nga Lesoto, i është konfirmuar ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj, nga homologu i këtij shteti afrikan, raporton KTV.
“Nota verbale e njohjes pritet të arrijë brenda javës”, bën të ditur këshilltari për media i ministrit Hoxhaj, Bashmir Xhemaj.
Ndërkaq, edhe vet ministri Hoxhaj e ka konfirmuar një gjë të tillë përmes rrjetit social Facebook.
“Para pak minutash mu konfirmua njohja e radhës për Kosovën nga shteti i Lesotos. E falënderova Ministrin e Jashtëm të Lesotos, Mohlabi Tsekoa për vendimin e marrë. Tani numërojmë 106 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Urime!”, ka shkruar Hoxhaj.
Gëzimit për njohjen e 106-të për shtetin e Kosovës i është bashkëngjitur edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
“Sapo u informuam se Mbretëria e Lesotho, në Afrikën jugore, ka njohur Kosovën. U bënë 106 shtete që njohën Republikën tonë të pavarur dhe sovrane. Dhuratë e bukur në javën kur festohet ditëlindja e 6 e shtetit”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në Facebook.
Tuesday, 11 February 2014 15:46