Preshevë (PLOTESUAR 21:00) – Në oborrin e objektit të komunës së Preshevës u bënë sot homazhe për studentet qe humbën jetën në Shqipëri. Në hyrje të godinës u ndezën qirinjtë nga shumë qytetarë të Preshevës dhe Bujanocit, u vendosën trëndafila të bardhë për studentët e vdekur dhe u bënë lutje për të plagosurit. 
Në shenjë solidariteti “Në nderim të Viktimave të Tragjedisë së Himarës, Lugina është me Ju” ishte vendosur slogani nga aktivistët e Këshillit për të Drejtat e Njeriut. “Në këto momente mendja dhe zemrat tona janë tek familjet e viktimave, të cilave iu shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, si dhe shërim sa më të shpejtë të plagosurve, tha Enkel Rexhepi aktivistë i KDNJ-së në Preshevë. (LajmeShqip.com)
************************************
Prishtinë (PLOTESUAR 19:20)- Dhjetëra studentë të Universitetit të Prishtinës janë grumbulluar të martën pasdite para Teatrit Kombëtar për të bërë homazhe në shenjë solidarizimi me dhembjen e familjeve shqiptare për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Himarë. Studentët ndezën qiri dhe mbajtën një minutë heshtje. 
Me këtë rast, Tahir Bungu, kryetar i Këshillit të Studentëve në Fakultetin Filozofik, tha se nëpërmjet këtij aksioni kanë dashur të solidarizohen me familjarët e viktimave të cilët humben jetën pasditen e djeshme në aksidentin tragjik të Himarës. “Ne si Këshill i Fakultetit Filozofik, në bashkëpunim me organizatën “Lista Studentore”, kemi organizuar në mënyrë simbolike ndezjen 13 qirinjve për 13 viktimat të cilat humbën jetën dje në Shqipëri. Nëpërmjet këtij aksioni ne shprehim dhembjen me gjithë familjet e viktimave dhe me gjithë popullin shqiptar në këtë ditë zie e cila është shpallur në Shqipëri”.
Barroso: “Solidaritet me familjet e viktimave”
Tiranë – Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Durão Barroso, i drejtoi sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për tragjedinë e Qafës së Vishës, në afërsi të Himarës, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën 26 të tjerë. “Mësova me trishtim për aksidentin rrugor tragjik, i cili ndodhi dje pranë Himarës, ku humbën jetën 13 veta dhe shumë të tjerë u plagosën. Në emër të Komisionit Evropian dhe në emrin tim personal, më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet tona të sinqerta dhe shprehjen e simpatisë sonë më të madhe si dhe solidaritetin me familjet e të gjithë viktimave”, shkruan Barroso në mesazhin e tij dërguar Presidentit Topi.
Veljanoski, telegram ngushëllimi kryetares së parlamentit Shqiptar
Shkup – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Trajko Veljanoski i dërgoi telegram ngushëllimi koleges shqiptare Jozefina Topalli me rastin e aksidentit tragjik në të cilin e humbën jetën studentë shqiptarë.
“Asgjë nuk mund ta zbusë dhimbjen për humbjen e më të afërmve. Shpreh ngushëllime me Ju në këto momente pikëllimi dhe thellë shpreh keqardhje për jetat e humbura në këtë tragjedi të madhe. Dëshirojë që shpejtë ta tejkaloni dhimbjen, edhe pse pikëllimi për jetat e humbura do të jetë i përjetshëm. Me rastin e ngjarjes tragjike do të doja nga emri i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal të dërgojë shprehje të ngushëllimeve të thella deri te Ju dhe familjet e personave të pësuar, dhe të lënduarve u dëshirojë rikuperim më të shpejtë”, thuhet në telegramë.
Ivanov, letër ngushëllimi Presidentit Topi
Shkup – Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, dërgoi letër me ngushëllime deri te kolegu i tij shqiptar Bamir Topi me rastin e tragjedisë së madhe në Himarë të Shqipërisë, ku humbën jetën 14 studentë dhe shumë të tjerë u lënduan. “Me pikëllim të thellë e mora lajmin për tragjedinë e madhe që ndodhi në afërsi të Himarës, dhe sinqerisht shpreh keqardhje për viktimat në këtë fatkeqësi të madhe të komunikacionit. Në këto momente pikëllimi për Ju, për qytetarët e vendit të Juaj dhe për familjet e të pësuarve, me lejoni, në emrin e qytetrëve të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj ngushëllime të thella. Në këto momente të pikëllimit, lutjet tona janë me Ju dhe familjet e të pësuarve”, thotë në letër ngushëllimin presidenti Ivanov. (LajmeShqip.com)
*******************************************
Elbasan – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Kryetari i LSI, Ilir Meta, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të të gjitha forcave politike, pushtetarë qendrorë dhe lokalë, ambasadorë dhe intelektualë të fushave të ndryshme, bënë sot homazhe në ambientet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ku ishin vendosur fotot e 11 studenteve të këtij universiteti që humbën jetën aksidentalisht një ditë më parë, në Himarë, teksa kishin shkuar për ekspeditë.
Homazhe dhe vizita u zhvilluan edhe në familjet e viktimave studentore, duke u shprehur familjarëve ngushëllimet e përzemërta për humbjen e njerëzve më të dashur të tyre.
Në emër të deputetëve të Parlamentit shqiptar, kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu dhimbjen dhe ngushëllimin më të madh nënave dhe prindërve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik të mesditës së djeshme në Himarë.
“Ato ishin ëngjëj, që sot ato do shikojnë nga lart, por në familjet e tyre ato kanë lënë një dhimbje jashtëzakonisht të madhe. Foto e tyre, sytë e tyre kishin shpresë, kishin projekte, por ëndrra e tyre mbaroi dje. Ishte një ditë e tmershme për të gjithë popullin shqiptar”, u shpreh Topalli. Homazhe dhe vizita ngushëllimi në familjet e studenteve të aksidentit të djeshëm tragjik zhvilloi edhe nënkryetari i Parlamentit, Ardian Turku, i cili e ka nisur këtë homazh në familjet e viktimave së pari në fshatin Katund i Ri të Elbasanit, në familjen e studentes Eranda Baloshi.
Të njëjtin ngushëllim ka shprehur edhe Valentina Leskaj, deputete e PS, e cila ka bërë homazhe në familjen e Eraldës, për të vijuar më pas në familjet e studenteve Elsa Daka në fshatin Kuqan të Elbasanit, Eriola Xhoi në Elbasan, Ermira Mana, në Shelcan, Lindita Kabashi në Shtërmen dhe Juliana Tola në Librazhd. “Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë studentët tanë”, shprehet gjatë vizitës së tij në banesën e prindërve të studentes Lindita Kabashi, pedagogu i saj Ilir Yzeiri, ndërsa edhe deputeti Luçiano Boci, njëherazi edhe pedagog në këtë universitet, ka shprehur ngushëllimet e tij për të gjithë familjet e studentëve që humbën jetën në këtë aksident tragjik. Vizita janë zhvilluar edhe në banesën e shoferit Pëllumb Çela, ku edhe të afërmit e këtij të fundit nuk kanë fjalë të përshkruajnë zinë që i ndodhi në familje e tyre.
Telegram ngushëllimi e rektorit të USHT-së
Tetovë – Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof.dr. Agron Reka, i dërgoi telegram ngushëllimi rektorit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, prof.dr. Liman Varoshi. “I nderuari Rektor Varoshi, në këto çaste të rënda për universitetin tuaj, për familjet e viktimave, por edhe për mbarë popullin shqiptar gjithandej, na lejoni që ta ndajmë dhimbjen tonë të thellë bashkë me Ju, stafi drejtues, mësimdhënësit, studentët dhe gjithë të punësuarit e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Më lejoni që në këtë ditë tepër të dhimbshme për Ju, të Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e studenteve Tuaj, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë tragjike e të parakohshme, ndërsa për studentët e lënduar urojmë shërim sa më të shpejtë! Ju lutemi, transmetoni ngushëllimet tona më të sinqerta vëllazërore edhe familjeve të studentëve të ndjerë!”.
Kryeministri Berisha, shpreh ngushëllimet i përlotur
Tiranë – Kryeministri Sali Berisha u shprehu sot ngushëllimet familjarëve, të gjithë qytetarëve të Elbasanit, për ndarjen nga jeta të studenteve në aksidentin e djeshëm tragjik në Himarë. “I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, studentëve, të gjithë qytetarëve të Elbasanit”, u shpreh Kryeministri i përlotur. “Ishte një tragjedi e rëndë shumë, zi e madhe, e cila, kur je jashtë të vjen dy herë më e rëndë. Ndaj dhe u shpreh edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta, solidaritetin tim më njerëzor të gjithë prindërve, familjarëve të studenteve, që u ndanë dje nga jeta në njërin nga aksidentet më tragjike që Shqipëria ka njohur në shumë e shumë vite”, theksoi Kryeministri Berisha. 
Ministri Poposki telegram ngushëllimi kolegt shqiptar, Haxhinasto
Shkup – Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë Nikolla Poposki sot dërgoi letër me ngushëllime ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë Edmond Haxhinasto me rastin e tragjedisë së madhe në Himarë, ku e humbën jetën 14 persona dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Në letër, ministri Poposki shprehu keqardhje për ngjarjen tragjike, duke dërguar mesazh ngushëllimi edhe deri te populli i Shqipërisë mike.
Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi letër ngushëllimi Shtetit Shqiptar
Shkup – Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë i obliguar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, dërgoi letër ngushëllimi presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto dhe familjarët e viktimave.
“Më lejoni në emrin tim dhe në emër të Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, t’Ju shpreh ngushëllimet e mia familjarëve të viktimave dhe atyre që po luftojnë me jetën pas aksidentit tragjik në Himarë. Në këtë ditë të tragjedisë kombëtare, në emrin tim dhe të bashkëkombësve të mi ngushëlloj të gjithë popullin shqiptar dhe solidarizohemi me dhimbjen e tyre.
Të nderuar bashkëkombas, na lejoni që këtë dhimbje të madhe ta ndajmë së bashku, se kështu do të jemi më të fortë në kalimin e kësaj tragjedie. Ndarja nga jeta në mënyrë tragjike e studentëve nuk ishte humbje vetëm për familjarët e tyre, por, edhe për mbarë rininë dhe popullin shqiptarë. Si zëvendëskryeministër i Republikës së Maqedonisë, edhe njëherë shpreh ngushëllimet për këtë fatkeqësi dhe qëndroj pranë jush në këto momente të vështira”, qëndron në letër ngushëllimin e zëvendëskryeministrit Xhaferi. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 22 May 2012 18:42