Avio-kompania nga Shqipëria, Belle Air, e cila gjatë tërë vitit ka abuzuar me klientët e saj, duke ua shtyrë fluturimet deri me javë të tëra, e duke i lënë të presin nëpër aeroporte, sot ka njoftuar se do të shpallë falimentimin. Siç mëson televizioni Klan Kosova, kjo kompani ka bërë të ditur të ketë rreth 4 milion euro borgje, dhe se nuk është në gjendje të operojë më tutje.
Ajo tanimë ka me mijëra bileta të shitura te klientët e saj, të cilët duket se do t’u duhet të rezervojnë biletë në ndonjë kompani tjetër, për të realizuar udhëtimin e planifikuar.
Një fat të keq edhe sot e kanë përjetuar pasagjerë të kësaj kompanie. Siç raporton Top Channel, të paktën 200 pasagjerë shqiptarë ndodhen të bllokuar në aeroportin e Veronës në Itali, pas anulimit të fluturimit nga kompania ajrore “Belle Air”.
Një pasagjere, që ndodhet në këtë aeroport, Violeta Gjana, i tha televizionit se, ata nuk ishin njoftuar për këtë anulim, transmeton reporteri.net.
Mes pasagjerëve – siç tregoi ajo, – ka gra shtatzëna, fëmijë dhe dy gra me aftësi të kufizuar.
Pasagjerët ndodhen aty prej orës 14:30, ndërsa fluturimi për në Tiranë, që u anulua, ishte shënuar në orën 17:35 minuta.
Sunday, 24 November 2013 21:32